Kryeministri Edi Rama nuk e ka urdhëruar Presidentin Bajram Begaj të firmosë dekretin për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, pavarësisht se ishte anti-kushtetues.
Kjo është ajo që ka thënë vetë kreu i qeverisë në mbledhjen me dyer të mbyllura me socialistët, ku u diskutua për strategjitë elektorale për zgjedhjet e 9 Nëntorit, ku PS do të kandidojë me Ogerta Manastirliun.
“Presidenti e ka firmosur dekretin e zgjedhjeve me vullnetin e vet”, ka thënë Rama në takim, siç raportojnë burime për mediat. Sipas tij, këshilltarët e Begajt kanë qenë dakort me dekretin për zgjedhjet, teksa ka kërkuar nga të tijët të mos bien pre e historive konspirative.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Elisa Spiropali është përjashtuar nga fushata e Tiranës, e cila do të drejtohet nga Belinda Balluku. Kjo e fundit prej kohësh nuk ka marrëdhënie të mira me ministren e re të Jashtme, që kur Spiropali ishte kryetare Kuvendi.
Kujtojmë se gjatë një mbledhje të PS-së, ku Spiropali mungonte, Balluku së bashku me deputetët që e mbështesin hodhën akuza ndaj Spiropalit, duke thënë se i jep shumë kohë opozitës për të folur për shkak se i frikësohet akuzave për lidhje me krimin.