Rama me mendjen te Veliaj, Balluku vijon fushatën pa asnjë reagim për kryebashkiakun

Teksa kryeministri Rama po “vajton” arrestimin e Erion Veliajt dhe ka filluar sulmet ndaj SPAK dhe GJKKO, më e pashqetësuar duket të jetë zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Kjo e fundit, duket se ka “hequr qafe” kundërshtarin e saj brenda partisë, pasi të dy ishin në garë se cili do të zinte vendin e Ramës në krye të PS-së, pavarësisht se kryeministri ka deklaruar se s’ka ndërmend të largohet.

Pothuajse të gjithë socialistët i kanë dalë në krah Veliajt, por ndryshe nga ata, Belinda Balluku vijon fushatën sikur të mos kishte ndodhur asnjë arrestim. Sot ajo ka publikuar fotot nga takimi në Fier, ku krah saj qëndron edhe një tjetër person nën hetim nga SPAK, zv.ministri dhe ish-kreu i Tatimeve, Ceno Klosi.

“Tifozerisë politike i ka ikur koha! Tani qytetarët vlerësojnë punën dhe atë që iu gjendet më pranë e iu shërben më mirë, atë që punon dhe nuk shpenzon kohë me fjalë e qyfyre tavolinash. Kështu u shprehën disa ish-mbështetës të forcave të tjera politike, gjatë një takimi me banorë të lagjeve “Kryengritje” dhe “11 Janari” në 📍Fier. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të gjithë shqiptarët, në katër anët e vendit, pa dallim përkatësie politike, pasi misioni ynë është i të gjithëve, është për Shqipërinë”, shkruan Balluku krah fotove e buzëqeshur pasi tani ka një problm më pak brenda partisë.