Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar në lidhje me vizitën e kreut të qeverisë Edi Rama më 12 maj në Athinë, ku do të takohet me shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj.
Mitasotakis ka thënë se Rama nuk është i ftuar i qeverisë dhe kryeministri grek ka shprehur rezerva për vizitën e tij. Sipas Mitsotakis, zgjedhja e Ramës për këtë vizitë është e panevojshme.
“Edi Rama vjen të bisedojë me bashkëkombasit e tij. Zgjedhja e Ramës për këtë vizitë më duket e panevojshme. S’e pengojmë tubimin e Ramës, as e ndihmojmë”, ka sqaruar ai.
Rikujtojmë se pak ditë më parë, gazeta “Kathimerini” shkruante se autoritetet greke i kishin kërkuar bashkëpunëtorëve të shefit të qeverisë që të shtynte takimin me emigrantët pas 9 qershorit, për të mos ndikuar te zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Marrëdhëniet me Greqinë fqinje, janë tensionuar në muajt e fundit për shkak të burgosjes së Fredi Belerit. Për këtë të fundit, Athina zyrtare ka kërkuar lirimin dhe betimin e tij si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.