Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar deputetët socialistë se ndërhyrjet për punësime në administratën publike do të konsiderohen vepër penale.
Kreu i qeverisë tha se do t’u kërkojë vetë deputetëve ta votojnë këtë ndryshim, duke e shoqëruar mesazhin me një paralajmërim të fortë ndaj atyre që përdorin funksionin politik për të favorizuar persona të caktuar.
Ai iu referua edhe ndërhyrjeve përmes mesazheve apo kontakteve direkte me drejtues të institucioneve, duke kërkuar që edhe raste të tilla të përfshihen në këtë qasje.
Rama theksoi se një deputet që ndërhyn për punësimin e dikujt nuk është i denjë, sipas tij, të përfaqësojë qytetarët që nuk kanë akses apo lidhje me qarqet politike.
“Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: ‘Fute këtë’, ‘shife atë’, të konsiderohet vepër penale. Një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerët që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrethit të tarafit të tij apo shokë të fëmijëve. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë. Grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike ka një të dhënë që duhet t’ju mbetet të gjithëve sot”, tha Rama.