Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të krijohet Operatori Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve, si pjesë e një pakete reformash për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Në një deklaratë publike, Rama theksoi se trajtimi i mbetjeve është një nga sfidat më të mëdha në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. “
‘Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim, në të gjitha nivelet dhe territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo nënpunës të lidhur me çështjet e mjedisit të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE. E them me keqardhje që ndërkohë që kemi vënë re një përmirësim të mëtejshem të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re asnjë vetëdijësim më domethënës nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit dhe nuk vëmë re përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve. Në këto kushte, duke marrë parasysh edhe vështirësitë, duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë të re reformash e masash, të cilat ministrja do t’i shpjegojë më në detaje, por dua të them se së pari, është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetejeve, ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Një agjenci e re, e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë republikës, të pushtetit vendor, qytetarëve, të këtij misioni për në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve, u shpreh ai.
Ai kritikoi mungesën e vetëdijes qytetare dhe performancën e dobët në trajtimin e mbetjeve në nivel vendor. Sipas kryeministrit, me krijimin e këtij operatori, procesi i trajtimit të mbetjeve do të dalë nga përgjegjësia e bashkive dhe do të kalojë në administrim të kësaj agjencie të re shtetërore, ku bashkitë do të kenë rolin e klientit.
‘Nuk do të jetë më proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me te cilin, bashkitë do të jenë klientë, njësoj siç janë në operatorët e tjerë”, tha ai.
Rama paralajmëroi edhe një projektligj të ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Kryeministri paralajmëroi masa drastike dhe për varrezat e makinave, të cilat sipas tijjanë lejuar të zhvillojnë aktivitetin pa patur një ligj të posaçëm.
“Tjetra është sfida e përafrimit me direktivat e BE dhe ky ligj i ri merr përsipër të bëjë këtë gjë, të përafrojë direktivat e BE 100% me legjislacionin shqiptar. Nëse në pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendit e plazheve sidomos gjatë sezonit kemi bërë përparime dhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përparime domethënëse , jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve, me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve ku përfshihen letra, qelqi, automjeti. Jemi besoj i vetmi vend në Evropë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor si fakte të kryera. Ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjithë këtyrë varrezave dhe jemi vend që s’ka akoma detyrim për prodhuesit, shpërndarësit e importuesit me këtë që thashë, për trajtimin dhe çfarë ndodh me gjithë këto materiale kur kryejnë misionin e tyre si ambalazh, pajisje elektrike apo si automjete. Për këtë kemi një ligj, që do të kalojë në kuvend brenda këtij viti.’, theksi Rama.