Kuvendi është institucioni ku qeveria do të duhet të japë llogari, por prej kohësh ky institucion është kthyer vetëm në një sallë ku mazhoranca miraton me forcën e kartonit ligjet që i sjell Këshilli i Ministrave.
Për të disatën herë me radhë, kryeministri Rama nuk ka denjuar të paraqitet në Kuvend dhe t’i përgjigjet interpelancës së kërkuar nga deputetët e opozitës, por e ka kaluar atë te ministrja Delina Ibrahimaj.
Pavarësisht kundërshtive nga ana e opozitës, duke theksuar se po shkelet Kushtetuta, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi është shprehur se ligji e lejon kalimin e kompetencave nga kryeministri te një ministër.
Por pse u shmanget Rama interpelancave?
Kryeministrin Rama e shohim në Kuvend vetëm kur ka ndonjë votim të rëndësishëm, teksa voton dhe më pas largohet, duke iu shmangur debateve me deputetët e opozitës.
Por, teksa kreu i qeverisë iu shmanget përgjegjësive dhe llogaridhënies, e gjen kohën për të bërë propagandë. Mëngjesin e sotëm ai mblodhi të rinjtë dhe iu foli për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai iu tha të rinjve se pas anëtarësimit në BE, ata nuk do të jenë të huaj në vendet e tjera, por do të jenë të njëjtë me qytetarët e shteteve të tjera anëtare.
Por, Rama harroi t’u thotë të rinjve se anëtarësimi në Bashkimin Europian bëhet kur respektohen ligjet dhe përballesh me përgjegjësitë, dhe jo kur i shmangesh atyre.
Që prej çështjes “Balluku”, Edi Rama dhe Kuvendi janë parë shumë pak me njëri tjetrin, teksa kryeministri shfaqet vetëm në takimet e propagandës dhe në mbledhjet me ministrat dhe deputetët, me këta të fundit që kanë filluar edhe t’i dalin kundër, siç janë rastet e Erion Braçes dhe Elisa Spiropalit.