Teksa vendi po shkon drejt fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama ka thënë se do të ketë një tjetër rritje pagash për infermierët dhe mjekët.
Në inaugurimin e Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUNT, Rama tha se pavarësisht se janë rritur pagat për bluzat e bardha, është i bindur se mirëpresin një rritje tjetër dhe këtë e kanë parasysh edhe pa jua thënë.
Ndërkohë Rama nuk tha se kur do të ketë një datë konkrete se kur do të ndodh rritja e pagave për mjekët dhe infermierët, por ky premtim i kreut të qeverisë vjen teksa vendi po shkon drejt fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit.
“Pavarësisht se i kemi rritur pagat nuk kemi mendimin që jeni shumë të kënaqur dhe jam i bindur se do e mirëprisnit një rritje tjetër. Këtë e kemi parasysh edhe pa na e thënë. E kuptojmë që ka edhe më mirë dhe patjetër që me autonominë spitalore dhe me kontributin e pashmangshëm të qeverisë, më herët se vonë përsëri do të bëjmë një rritje pagash për mjekët dhe infermierët”- tha Rama.
Ndër të tjera ai u ndal edhe te skandali në spitalin e Onkologjikut. Rama u shpreh se ende ka probleme për t’u adresuar dhe se duhet të mësojmë nga e shkuara që raste të tilla si onkologjiku të mos përsëriten më.
“Kemi ende probleme për të adresuar, jemi të gjithë të vëmendshëm që mësimet e hidhura të së shkuarës të na vlejnë dhe ngjarje si ajo e onkologjikut të mos përsëritur. Por kjo është një betejë e përditshme, jo vetëm shqiptare”- tha kreu i qeverisë.