Lufta brenda Partisë Socialiste vijon të jetë e ashpër, me Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun që cilësohen si dy kundërshtarët që duan të pasojnë Ramën në krye të partisë.
Kryeministri zgjodhi para disa muajsh drejtuesit politikë në qarqe të partisë, ku Tiranën si qarkun kryesor e ndau mes Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliut, me kryebashkiakun që do të ishte drejtues kryesor i këtij qarku.
Por, burime për mediat bëjnë me dije se Rama ka vendosur t’i shtojë këtij qarku një tjetër drejtues politik, ministrin e Ekonomisë, Blendi Gonxhen.
Ky i fundit ishte zgjedhur si drejtues në Dibër, por mesa duket kryeministri ka vendosur t’i besojë një zonë që njihet si hambar votash socialiste në kryeqytet, atë të Kombinatit, që më herët ishte drejtuar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Vendosja e Gonxhes si drejtues politik në këtë zonë ul edhe më tepër pushtetin e Erion Veliajt, pasi suksesi i mundshëm në Kombinat i PS-së do t’i atribuohet Gonxhes, duke lënë edhe më shumë në hije kryebashkiakun, i cili do të tentojë suksesin në zonat e tjera.
Nuk dihet përse kryeministri Rama ka marrë këtë vendim pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, por kjo lëvizje shihet si një shenjë jo e mirë për Veliajn, i cili ka edhe çështje të hapura me SPAK-un, si inceneratori dhe afera “5D”.