Ka nisur “Foltorja” e pestë e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë. Këtij tubimi i janë bashkuar kreu i PD, Sali Berisha, deputetë, dhe mbështetës të kësaj force politike.
Partia Demokratike ka vendosur para Kryeministrisë fotot e anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Partisë Socialiste, të cilët janë hetuar dhe arrestuar nga SPAK për akuza të ndryshme.
Mes tyre janë Erion Veliaj, Belinda Balluku, Saimir Tahiri, Jurgis Çyrbja, Alqi Bllako dhe Lefter Koka, ndërkohë në mesin e tyre qëndron Rama, i cili shfaqet i habitur.
Partia Demokratike ka deklaruar se tubimet para selisë së qeverisë do të zhvillohen çdo javë deri sa të japë dorëheqjen kryeministri Edi Rama dhe numri dy i qeverisë Belinda Balluku.
Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.
Ndërkohë Qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.
Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë Ballukun, ndërsa në 22 janar do të mbahet seanca publike, ku çështja do të shqyrtohet në themel.