Në 35-vjetorin e PS, kryeministri Edi Rama u ndal te projekti në Zvërnec dhe prostestave që po mbahen prej 13 ditësh.
Rama i lidhi protestat me atë që ai e quan dezinformim në rrjete sociale, dhe jo si një pakënaqësi ndaj qeverisjes së tij, pavarësisht se qytetarët kërkojnë të dorëhiqet.
Ai deklaroi se do të ishte po aq i revoltuar sa ata nëse pretendimet që qarkullojnë do të ishin të vërteta, por këmbënguli se faktet tregojnë një realitet tjetër.
“Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat socialë dhe ekonomikë të Shqipërisë. Duke futur në ekonomi 4 miliardë në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 mld eurosh vetëm ky investim është më shumë se 1 e shtata e prodhimit të përgjithshëm të vendit tonë dhe dy herë e gjysmë më shumë se i gjithë stoku i investimeve në Shqipëri vitin e shkuar.
E vërteta është se edhe unë personalisht, po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale, duke dëgjuar dhe parë turli-llojet e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati dhe lloj-lloj videosh e fotosh të prodhuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, rruspa shfaruese të natyrës, gradaçela mbi lagunën e Sazanin, tabelë kufiri i izraelit në një tel me gjemba, do të kisha dalë në bulevard, i llahtarisur. Do të më dukej edhe mua që kjo, e gatuar pas shpinës së popullit, ishte aq e tmerrshme sa befas krejt bota u zgjua dhe u bashkua kontinent më kontinent për të shpëtuar tim të vogël nga investim shkatërrues. Pa diskutim, anulimi i një projekti kriminal, do të më dukej më e pakta që mund të ndodhte”, tha Rama.