Kryeministri Edi Rama sulmoi sot gjyqtarin Erion Bani nëpërmjet një mesazhi të ardhur nga qytetari dixhital, i cili shkruante se ky gjyqtar ishte ekstremist i djathtë.
Madje, sipas “qytetarit dixhital”, ky gjyqtar merrte në dorë të gjitha çështjet e zyrtarëve socialistë e për t’i dënuar, pasi është një kamikaz i PD-së, duke akuzuar edhe për nxjerrjen e sekreteve hetimore si në rastin e dosjes “Toyota Yaris”.
Por, gjyqtari Erion Bani që Rama akuzon sot, vetëm 2 muaj më parë mori mbështetjen e të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn, e cila afirmoi angazhimin e SHBA në mbështetje të luftës së Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me kryetarin në detyrë të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Erjon Bani për të riafirmuar angazhimin e SHBA në mbështetje të luftës së Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ata diskutuan rolin thelbësor të gjykatës në sigurimin e drejtësisë, dhënien fund pandëshkueshmërisë dhe forcimin e besimit publik, si dhe mundësitë për bashkëpunim të vazhdueshëm për të ruajtur të drejtën, pavarësinë dhe integritetin në vendimet gjyqësore”, shkruante ambasada e SHBA.