Rama: E neveritshme që sektori i ndërtimit futet në kornizën e krimit, po transformon Shqipërinë

Në një bashkëbisedim për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare, kryeministri Edi Rama tha se sektori i ndërtimit ka probleme, por i konsideroi si të neveritshme dhe të papranueshme tentativat për ta futur këtë sektor në kornizën e krimit.

Kreu i qeverisë tha se ndërtimi është një sektor që merr në menyrë të vazhdueshme goditje, sulme, por tha se është e papranueshme që ti hidhet baltë, pasi sipas tij po transformon Shqipërinë.

“Është e pamundur për ne që të pranojmë që shumica dërrmuese e atyre që investojnë në ndërtim të futen në thesin e baltës për disa që mund të jenë ashtu siç thuhet, por jo për të gjithë”, shtoi kryeministri.

“Në Shqipëri sjell shumë të mira, por nga ana tjetër për fattë keq si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim, që mbulohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e të nesërmes, është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë, dhe që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij.

As nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit si në çdo sektor tjetër, në Shqipëri si në çdo vend tjetër, përfshirë ato vende që na bëjnë leksione ne, ka probleme, si këtu në Shqipëri që janë më të mprehta në disa raste se në vende të tjera. S’e vë në diskutim se edhe në ndërtim jo çdo gjë është e pastër, por ama që këtë sukses evident të Shqipërisë, që këtë transformim të Shqipërisë që sektori i ndërtimit e bën të prekshëm menjëherë sapo dikush vjen në Shqipëri, ta fusë në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.”, tha Rama.