Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe administratës amerikane pas rikthimit të Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, duket se po kalojnë një krizë të thellë. Ndryshe nga raportet korrekte që Rama ka pasur me administratat demokrate, marrëdhënia me Trump ka qenë që në nisje e ngarkuar me tension politik dhe personal.
Deklaratat e Ramës për Trump, që e cilësonte presidentin amerikan si “kërcënim për Amerikën dhe për marrëdhëniet Shqipëri – SHBA”, dhe shprehte hapur dëshirën që ai të mos zgjidhej President, krijuan një precedent të pazakontë për një kryeministër të një vendi aleat.
Pavarësisht se për këto deklarata nuk ka patur reagime zyrtare nga ana e njerëzve të besuar të Trump, vështirë se kanë kaluar pa u vënë re, sidomos nga një si Donald Trump, të cilit nuk i shpëton asgjë.
Më pas, dosja “McGonigal” është edhe ajo që duket se e shqetëson më së shumti kryeministrin shqiptar, që përmendet disa herë në dosjen e Prokurorisë amerikane. Pavarësisht se në Shqipëri SPAK ka deklaruar se po e shqyrton çështjen, fakti që kjo dosje ka origjinë në SHBA e vendos kryeministrin shqiptar në një pozicion delikat përballë një administrate që e ka shpallur luftën kundër korrupsionit si prioritet politik dhe strategjik.
Ndaj çdo dyshim apo përfshirje, qoftë edhe indirekte, e komplikon raportin politik me Uashingtonin, ndërkohë që në media po përflitet se vetë Rama do të shkojë në SHBA brenda këtij muaji për të dëshmuar për këtë çështje.
Por, ajo që bëri të kuptohej se Rama dhe SHBA kanë shumë pak ose aspak marrëdhënie të mira ishte urimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11Majit. Si asnjëherë më parë, urimi i Ambasadës Amerikane për popullin shqiptar ishte tepër i përgjithshëm dhe i rezervuar, duke përmendur vetëm “popullin” dhe “partneritetin”, pa përmendur asnjëherë emrin e Ramës, partisë së tij apo qeverisë.
Ky mesazh tregoi një realitet të vështirë për Ramën: marrëdhëniet e tij me Uashingtonin ishin në një krizë të thellë. Kjo pasqyrohej edhe në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj qeverisjes së tij, sidomos për çështjet e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Afrimi i Jared Kushner, dhëndrit të Trump, për të marrë ishullin e Sazanit e për të ndërtuar aty hotele dhe resorte luksoze, u trumbetua si një rregullim i marrëdhënieve të Ramës me SHBA, pasi në mes ishte një nga njerëzit më të afërt të Presidentit amerikan.
Por, javët e fundit në media është raportuar se Kushner pasi u tërhoq nga investimi në Serbi, ka vendosur të tërhiqet edhe nga Sazani, duke mos vijuar me projektin që 1 vit më parë bëri bujë edhe në mediat ndërkombëtare.
Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare, por tërheqja e Kushner nuk është aspak një lajm i mirë për Ramën.
Për të mbuluar dëshpërimin për të patur marrëdhënie të mira me SHBA, Rama ftoi në Tiranë kryebashkiakun në largim të Nju Jork-ut, Eric Adms, me qeverinë shqiptare që mbuloi të gjitha shpenzimet e vizitës së tij.
Adams u prit si një zyrtar i lartë i SHBA-ve, teksa iu vu në dispozicion edhe një helikopter për ta thjeshtuar sa më shumë vizitën e tij në vendin tonë. Por edhe pse Eric Adams është një figurë e njohur në SHBA, ai ishte vetëm një zyrtar lokal dhe jo një diplomat apo përfaqësues i administratës Trump.
Në fund të vizitës, Rama nuk fitoi asgjë, pasi nuk pati asnjë reagim të administratës së SHBA, asnjë marrëveshje dhe asnjë hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve. Vetëm një spektakël propagandistik që i kushtoi shumë taksapaguesve shqiptarë.
Ironikisht, për t’i prishur më shumë punë Ramës me Trump mendon vetë Rama. Gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, kryeministri shqiptar u tall me Donald Trump, pasi ky i fundit kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë gjatë një fjalimi.
Tallja e tij u bë lajm në të gjitha mediat botërore, teksa vetë Ramës iu desh ta shpjegonte se ishte vetëm një shaka miqësore.
Për të ardhur në fund te dita e sotme, ku Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK, morën pjesë në takimin për parkun eolik në Tropojë, i cili do të administrohet nga një kompani amerikane.
E pranishme në këtë takim ishte edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cila takoi vetëm Ramën, ndërsa nuk i dha dorën ministres Balluku. Ndoshta, kjo ishte një shenjë se SHBA nuk e mbështet aspak vendimin e Ramës për t’i dalë në krah një ministre të akuzuar për korrupsion dhe vjedhjen e qindra milionë eurove.
Por, siç e thamë edhe më sipër, i vetmi që mund t’i prishë punë Ramës me SHBA-në është vetë Rama. Në një deklaratë aspak të mirëmenduar, Rama “kërcënoi” kompaninë amerikane me Kinën, duke thënë që të punojnë mirë, ose në të kundërt investimet aziatike janë gati për Shqipërinë.
“Një korrigjim të vogël do t’i bëja shefit të madh, kur tha që “Shqipëria është treg i vogël”. Shqipëria është treg i vogël, por Shqipëria është një pikë me një kapacitet të madh strategjik, sepse dihet që ju do të prodhoni këtu ngahera dhe do të eksportoni. Kështu që, tregu juaj është Europa, apo jo? Se po të mos ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër dhe tregtarët më të padiskutueshëm, nuk do t’i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideronin Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në të gjithë Europën”, tha Rama.
Janë këto ngjarje që tregojnë se mes Ramës dhe administratës amerikane janë në një krizë të thellë, teksa vizita e fundit zyrtare e Ramës në SHBA mbetet ajo e Korrikut të vitit 2024, në Samitin e NATO-s.
Ndoshta, ashtu siç përflitet, e radhës do të jetë për çështjen “McGonigal”. Dhe kjo s’do të jetë aspak një vizitë e këndshme.