Rama cakton Belinda Ballukun si drejtuese të fushatës elektorale për zgjedhjet në Tiranë

Belinda Balluku do të jetë drejtuesja politike e fushatës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë Tiranë, pas shkarkimit të Erion Veliajt, i cili ndodhet në burg që prej shkurtit të këtij viti.

Zv.kryeministrja dhe njëherazi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, e konfirmuar nga Rama edhe në mandatin e tre qeverisës do të “marrë në dorë” fushatën e të majtëve për zgjedhjet, edhe pse ende nuk dihet se kur do të mbahen.

Mësohet se gjatë takimeve që zhvilloi dje me deputetët dhe ministrat, Rama ka njoftuar edhe për vendimin që Balluku të drejtojë fushatën elektorale.

Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama tha se pas shkarkimit të Veliaj, i cili do të duhet të përballet me drejtësinë për 5 akuza, fokusi duhet të jetë të zgjedhjet e reja në Bashkinë Tiranë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 Majit, Belinda Balluku drejtoi fushatën elektorale të qarkut të Fierit, ku në listën për t’u bërë deputet ishin edhe disa nga të besuarit e saj, si Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj, të cilët arritën që të futeshin në Kuvend falë mbështetjes së numrit dy të qeverisë.

PS fitoi 12 nga 16 mandate në total në qarkun e Fierit, ndërsa nuk munguan akuzat ndaj Ballukut, që sipas opozitës përdori të gjithë administratën për qëllime elektorale.

LEXO EDHE: https://ditar.al/dalin-emrat-te-gjithe-ne-sherbim-te-partise-si-belinda-balluku-vuri-ne-rresht-administraten-ne-fier/