Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, e pandehur në SPAK, ia ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen, por ai e ka refuzuar.
Rama tha se herën e parë Balluku ia dorëzoi dorëheqjen kur iu ngrit akuza nga SPAK, herën e dytë kur GJKKO e pezulloi dhe herën e tretë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka në fuqi pezullimin e saj.
Sipas Ramës, dorëheqja do të refuzohet deri kur të plotësohen kushtet, të cilat sipas tij nuk mund t’i caktojë as prokurori e as gjyqtari, teksa nuk i përmendi se cilat kanë këto kushte, por la të nënkuptohej se është vetë ai që e merr vendimin mbi to.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen, i kam atje në dosje, tre herë. Një herë kur u ngrit akuza, herën e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë kur Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim. Dhe të tre herët jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen, sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv, nuk ka. Dhe jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë mbi fytyrë sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet. Dhe se kur plotësohen kushtet nuk e cakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës [paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”, tha Rama.