Teksa nesër pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin në lidhje me pezullimin e Belinda Ballukut nga GJKKO, kryeministri Rama ka dalë sërish në mbrojtje të ish-ministres, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për 2 afera.
Rama tha se ka qenë ai që e ka ankimuar pezullimin e Ballukut në Kushtetuese, pasi vendimi i GJKKO-së ka cënuar balancën mes pushteteve.
Duke e konsideruar veten palë në këtë proces, kreu i qeverisë tha se nuk i bën presion askujt, sidomos drejtësisë, por flet vetëm për balancën e pushteteve të pavarura në Shqipëri.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flas për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ një ministër që në këtë rast është edhe zv.kryeministër, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidenti nga një prokuror e gjykatës. Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamenti për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”, tha Rama.