Rama kërcënon me “listë të zezë” ndërtuesit, paralajmëron sekuestrim dhe konfiskim objektesh

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka paralajmëruar sot hartimin e një “liste të zezë” për ndërtuesit dhe investitorët që abuzojnë me territorin apo shkelin rregullat e ndërtimit.

Gjatë takimit me ekipin e Tiranës, Rama bëri të ditur se qeveria po përgatit një akt normativ që do të miratohet me ligj, duke sanksionuar ata që kryejnë veprime të paligjshme në sektorin e ndërtimit.

“Kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në listën e zezë do humbasë të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe do penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit,” tha Rama.

Sipas tij, kjo masë synon të ndëshkojë ndërtuesit problematikë, përfshirë ata që pengojnë qytetarët të futen në banesat e tyre, bëjnë shitje të dyfishta të apartamenteve ose nuk ofrojnë dokumentacionin hipotekor.

“Masat për këtë kategori do jenë drastike dhe ju bëj thirrje të vrapojnë ta zgjidhin këtë problematikë sa pa dalë ky akt normativ, se pastaj do gjejnë një bela që do ta kenë shumë të vështirë,” shtoi ai.

Ai theksoi se do konfiskohet çdo objekt i braktisur dhe ato që tejkalojnë 2% e lejes së ndërtimit.

“Ne kemi bërë disa ndërhyrje të arsyeshme pas tërmetit, por gjithsesi ka pasur shumë devijime në disa kategori, përfshirë edhe noterët. Për këtë arsye do e adresojmë edhe problematikën e sigurimeve jo vetëm për tërmetet. Dhe bashkë me sigurimin jemi duke siguruar edhe një garanci bankare për të gjithë ata që marrin një leje drejtimi. Nga ana tjetër do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ndërtimet që nga vitet ‘90 që qëndrojnë si karakatina dhe që kanë problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve. Kur vjen puna për shkeljen e lejes së ndërtimit mbi 2% mbi lejen e ndërtimit, atëherë kjo do të prodhojë sekuestrim të menjëherë të të gjithë ndërtimit. Paligjshmëria është e plotë, nuk është e pjesshme, bëhen me muaj dhe me vite nga njëherë janë me vetëdije të plotë ndaj ligjit”, tha kryeministri Rama.