Mungesa e çerdheve dhe kopshteve publike në Tiranë është kthyer në një problem për shumë familje shqiptare.
Për shkak të kësaj mungese, janë të shumë prindërit, të cilët detyrohen që t’i çojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe kopshte private, që kanë një kosto shumë herë më të lartë dhe duke rënduar edhe më tej ekonominë e tyre.
Shtimi i kërkesës për regjistrime të reja ka bërë që edhe këto institucione private të rrisin gati me 50% tarifat në krahasim me disa vite më parë.
Por teksa kemi një mungesë të theksuar të kopshteve publike në kryeqytetin tonë, njëkohësisht kemi një shtim të kullave shumëkatëshe, duke e kthyer Tiranën në një kantier ndërtimi.
Një prej zonave që e vuan më shumë këtë mungesë është ajo e Astirit, që është mbipopulluar gjatë viteve të fundit. Prania e vetëm një çerdheje publike nuk e zgjidh problemin për mijëra familje që jetojnë në zonë, duke i dërguar të vegjlit e tyre në kopshte private.
Një tjetër problem është mbingarkesa në çerdhe dhe kopshte. Në një rast të denoncuar më herët në media, në një klasë grupmoshe 6–12 muaj kishte deri në 43 fëmijë, duke treguar mbipopullimin dhe mungesën e hapësirës që ka nevojë çdo fëmijë.
Drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të Tiranës, Zhaneta Beqiri pranoi disa kohë më parë se nga regjistrimi, që u bë online përmes e-albania, pati një numër shumë më të lartë regjistrimesh, sesa i kanë kapacitetet çerdhet dhe kopshtet. Ajo tha se Bashkia e Tiranës po mendon për marrjen me qira të ambienteve të reja, si një formë për të zgjidhur deri diku këtë problem, që përsëritet vit pas viti.
Duhet thënë se këtë problem nuk e vuan vetëm Tirana, por shumë zona në Shqipëri. Një audit i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi mungesën e çerdheve në fshatra, që detyronte shumë gra që të rrinin në shtëpi të kujdeseshin për ta, në vend që të shkonin në punë dhe të kishin pavarësinë e tyre ekonomike.
Por teksa Tirana vuan një mungesë të theksuar të kopshteve publike dhe janë një numër i lartë familjesh që nuk i kanë regjistruar dot fëmijët e tyre, kullat po lulëzojnë në çdo cep. Madje kulla më e lartë në Tiranë mesa duket ende nuk është ndërtuar, por qeveria ka lëshuar dorën duke dhënë leje për ndërtimin e tyre, jo vetëm në qendër të Tiranës, por edhe në zona të tjera më periferike, si Lapraka apo Astiri.
Kështu Tirana mbetet kryeqyteti i paradokseve: shtohen kullat, ndërsa mungojnë çerdhet dhe kopshtet publike, dhe për rrjedhojë kosto më të larta për prindërit shqiptarë.