Qeveria shqiptare humb një tjetër gjyq, vendimi i Gjykatës Amerikane: Të sekuestrohen asetet me vlerë 13 milionë dollarë

Qeveria shqiptare vijon të humbasë gjyqe në arbitrazh, pasi atij me biznesmenin italian Francesco Becchetti, ku shteti është i detyruar të paguajë mbi 110 milionë euro.

Këtë herë Shqipëria ka humbur gjyqin me kompaninë Omni Bridgeway, pas vendimit të gjykatës amerikane. Tasjmë kompania ka të drejtë  të konfiskojë asetet e qeverisë shqiptare me vlerë 13 milionë dollarë.

“Një gjyqtar federal në Uashington, D.C., pranoi të lejojë financuesin e çështjeve gjyqësore Omni Bridgeway të sekuestrojë asetet që i përkasin qeverisë shqiptare, ndërsa kjo e fundit synon të zbatojë një vendim arbitrazhi që tani vlen rreth 13 milionë dollarë,” raportojnë mediat amerikane.

Historia e konfliktit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë GBC Oil nis në vitin 2007, kur qeveria shqiptare i dha një kompanie të quajtur Stream Oil and Gas, licencën për shfrytëzimin e 4 vendburimeve të naftës.

Bëhej fjalë për vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë. Stream Oil ishte dhe kjo një kompani e regjistruar në ishujt Kayman, por pas të cilës qëndronte Arian Tartari, një biznesmen afër ish qeverisë së Partisë Demokratike.

Në vitin 2008, qeveria shqiptare vendosi të rrisë në 10 për qind rentën minerare që paguanin kompanitë e naftës. Stream Oil pretendoi kompesim, por qeveria nuk pranoi. Si rezultat kompania nisi të akumulonte borxhe të papaguara ndaj shtetit, të cilat arritën deri në 27 milionë dollarë.

Me rrotacionin e pushtetit në vitin 2014, Stream Oil iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone, i cili zotëron kompaninë TransAtlantic Petroleum. Ky i fundit, pasi e bleu kuptoi që kompania kishte dhe borxhe të tjera ndaj furnitorëve në Shqipëri, përveç atyre ndaj Tatimeve. Malonë e mbajti dy vjet kompaninë TransAtlantic Albania dhe e shiti atë tek kompania GBC Oil e Naim Kasës, Kreshnik Grezës dhe Mark Craëford, ky i fundit, ish kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë ishte njeriu që negocioi transaksionin.

Në viti 2017, Albpetrol vendosi të rishtetëzojë vendburimet e naftës, që tani ishin nën pronësinë e GBC Oil me argumentin se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet e marrëveshjes koncesionare si dhe kishte miliona dollarë borxhe të papaguara në shtet.

Pas shtetëzimit, GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih duke kërkuar 110 milionë dollarë kompesim nga qeveria shqiptare.

Në Korrik të vitit 2020, Gjykata hodhi poshtë pjesën më të madhe të pretendimeve të GBC Oil, por e gjobiti Shqipërinë me 12.7 milionë dollarë, para të cilat qeveria duhet t’ia paguante GBC Oil si kompesim për të neutralizuar rritjen e taksave pas marrëveshjes koncesionare.