Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një ligj të ri, i cili i jep agjencisë kryesore të inteligjencës së brendshme të Rusisë kompetenca të reja për ta ndalur internetin brenda vendit.
Legjislacioni, i nënshkruar më 20 shkurt, është më i fundit në një seri rregulloresh që forcojnë ndjeshëm mundësitë e autoriteteve për t’i kufizuar dukshëm lajmet dhe informacionet brenda Rusisë.
Masa e re, e miratuar më herët gjatë javës nga ligjvënësit, i jep Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) fuqinë të kërkojë nga ofruesit e shërbimeve të internetit – qoftë celularë apo me linjë fikse – të çaktivizojnë ose të kufizojnë qasjen në rastet “e përcaktuara nga aktet rregullatore ligjore të presidentit të Federatës Ruse”.
Ky veprim ia mundëson Putinit të vendosë vetë kur komunikimet online në gjithë vendin ose në një rajon të caktuar duhet të ndërpriten, pa qenë i detyruar të japë arsye pse.
Ai gjithashtu heq çdo përgjegjësi ligjore për ofruesit që zbatojnë këto urdhra.
“Vetëm presidenti mund të vendosë kufizime”, citohet të ketë thënë Sarkis Darbinyan, avokat dhe aktivist i kahershëm i internetit. Sipas tij, dekretet presidenciale janë “edhe më të thjeshta sesa dekretet qeveritare”.
Në muajt e fundit, autoritetet ruse janë përballur me mënyra për të ndaluar dronët ukrainas të hyjnë në hapësirën ajrore ruse. Në shumë raste, dronët përdorin sinjale ruse të të dhënave për të fluturuar drejt objektivave, nganjëherë në distanca të gjata.
Autoritetet gjithashtu kanë ashpërsuar masat ndaj mjeteve të njohura të internetit, veçanërisht aplikacioneve të mesazheve si WhatsApp dhe Telegram, shkruan REL.
Të dy aplikacionet janë ngadalësuar ndjeshëm në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë për t’i shtyrë qytetarët rusë të përdorin një aplikacion të mbështetur nga shteti, të quajtur Max.
Raportohet se Telegrami do të bllokohet plotësisht duke filluar nga 1 prilli.
Kufizimet ndaj Telegramit kanë nxitur reagime nga blogerë që ndjekin nga afër lëvizjet e Rusisë në fushëbetejën në Ukrainë dhe që mbledhin fonde për njësitë ruse. Telegram përdoret shumë edhe nga ushtarët rusë.
Rregullatori i teknologjisë, Roskomnadzor, e ka akuzuar Telegramin, i krijuar nga sipërmarrësi tashmë në mërgim Pavel Durov, për krijimin e një tregu për informacion të rrjedhur personal të qytetarëve rusë.