Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të marrë rajonin e Donbasit “me mjete ushtarake ose të tjera”, duke forcuar kërkesat territoriale ndaj Ukrainës, në një kohë kur Kievi po përgatitet për raund të ri bisedimesh me Shtetet e Bashkuara.
Putin mbërriti të enjten në Nju Delhi për një takim me kryeministrin indian Narendra Modi, vetëm dy ditë pasi priti në Kremlin delegacionin amerikan të kryesuar nga emisari Steve Witkoff. Ndërkohë, zyrtarë ukrainas janë nisur drejt SHBA-së për të diskutuar një plan të ri paqeje.
Në një intervistë për India Today, para takimit me Modin, Putin tha se Rusia do të “çlirojë Donbasin dhe Novorossiya-n në çdo rast”, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS. Moska kërkon që Ukraina të dorëzojë territoret e Donbasit, të cilat Rusia i ka aneksuar ilegalisht, por nuk i kontrollon plotësisht.
Ndërsa Kremlini insiston në këto kërkesa, Kievi i ka refuzuar kategorikisht, duke e bërë edhe më të paqartë mundësinë për kompromis. Megjithë deklaratat e Putinit, analiza të pavarura sugjerojnë se Rusia do të mund të pushtonte të gjithë rajonin e Donetskut vetëm pas disa vitesh, me ritmin aktual të avancimit.
Putin konfirmoi se gjatë takimit me Witkoff dhe Jared Kushner në Moskë, Rusia nuk ishte dakord me disa pika të propozimit amerikan, por bisedimet ishin “të vështira dhe të gjata”. SHBA nga ana e saj tha se takimi ishte “shumë i mirë”, edhe pse nuk solli ndonjë rezultat konkret.
Zyrtarë të lartë ukrainas pritet të takohen në Miami me përfaqësues amerikanë për të analizuar rezultatet e bisedimeve të Moskës dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm në procesin e paqes. Edhe pse palët thonë se ka pasur përparim, mbetet e paqartë se sa afër është një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.