Pushtimi/ Pse Ahmet Zogu nisi luftën dhe u largua, çfarë ndodhi në bisedimet sekrete me Musolinin

Erald Kapri

(Shkëputur nga libri “Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura”) 

Mesnata kishte kaluar dhe në oborrin mbretëror shqiptar çdokush ishte i angazhuar me përgatitjet për t’u tërhequr nga Tirana. Mbreti Zog u kujdes që Geraldina të nisej në agim për në Greqi bashkë me trashëgimtarin e sapolindur. Një moment prekës për monarkun shqiptar tek puthte ballin dhe duart e Mbretëreshës, e cila e buzëqeshur e bekoi bashkëshortin e saj.

Anijet italiane pritej të shfaqeshin në të gdhirë në Portin e Durrësit. Zogu ndjeu se duhej të lëvizte për herë të fundit për një marrëveshje, por kësaj radhe duke shmangur Jakomonin dhe Çianon. Në orën 01:30 të mëngjesit, Zogu i nis një mesazh personal Musolinit, me shpresën se nuk do të kalonte nga dora e Çianos dhe lutej për një marrëveshje ushtarake mes dy vendeve për të tejkaluar krizën. Por mesazhi i Zogut u mor nga Çiano i pari dhe mbërriti te Musolini në tre të mëngjesit. I shkruar në frëngjisht, mesazhi me tone të ndjera dhe personale për Musolinin, thoshte:

Shkëlqesia Juaj, 

Nuk e di se çfarë çmimi, kombi shqiptar dhe unë t’i vëmë miqësisë suaj. Kjo miqësi kaq e çmuar përbën një garanci të pazëvendësueshme për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy kombeve tona, që i lidh një aleancë e bazuar në besimin e ndërsjellë. Unë kam bindjen se propozimet e paraqitura nga qeveria ime frymëzohen nga dëshira më e sinqertë dhe më e ndershme për të arritur një bashkëpunim të plotë. I kërkoj Shkëlqesisë suaj, në emër të miqësisë që na bashkon prej trembëdhjetë vjetësh, të mos i imponojë Shqipërisë diçka të dëmshme, gjë të cilën zemra juaj bujare nuk donte që t’i shkaktohej dhe për rrjedhim propozoj që ju të urdhëroni që të merret në shqyrtim një marrëveshje ushtarake që do t’i zgjidhte moskuptimet”.

Pa pritur një përgjigje nga Musolini, që nuk dihej nëse do të vinte, në orën katër të mëngjesit, ministri i Jashtëm Libohova i shkoi Jakomonit në zyrë, duke kërkuar takim për një propozim të ri në emër të Mbretit Zog. Jakomoni i shkroi direkt Çianos, duke e cilësuar propozimin mjaft interesant. Sipas tij, Libohova kërkonte që në mëngjesin e datës 7 prill të hartohej një konventë ushtarake, e cila pranonte zbarkimin e trupave italiane. Me nënshkrimin e konventës, trupat mund të zbarkonin më pas në territorin shqiptar. Jakomoni i shkroi Çianos se ky propozim, në mendimin e tij, zeronte kundërpropozimet e mëparshme të Mbretit Zog, çka dukej mjaft joshëse. Por Musolini nuk denjoi të kthente përgjigje… të paktën në atë moment.

Në orën 04:30 të mëngjesit anijet italiane mbërritën në gjirin e Durrësit për të nisur operacionin “Oltre Mare Tirana”. Rreth 22 mijë trupa italiane po u afroheshin edhe porteve të tjera shqiptare. Një orë më pas nisi zbarkimi i italianëve në Durrës, të cilët u pritën nën breshërinë e mitralozave të ushtarakëve shqiptarë, drejtuar nga Abaz Kupi. Italianët u tërhoqën, duke lënë një numër të konsiderueshëm të vrarësh. Përdorimi i artilerisë së rëndë nga anijet dhe zbarkimi në krahët e Portit bëri që shqiptarët të tërhiqeshin. Por beteja mbeti e ashpër edhe në brendësi të Durrësit dhe vetëm pas të paktën 4 orëve përpjekjesh, italianët e morën qytetin. Zbarkimi italian ishte një dështim sa edhe ndihmësi kryesor i Çianos, Filipo Anfuzo, do të deklaronte më vonë: “Sikur shqiptarët të kishin një brigadë të armatosur mirë, kishin për të na zmbrapsur dhe hedhur në Adriatik”. Kaq të papërgatitur ishin italianët, sa të nesërmen në mëngjes, pas një rigrupimi të ushtrisë, i la karburanti në afërsi të Maminasit. Gjithsesi, rruga drejt Tiranës ishte e hapur.

Në Portin e Vlorës nuk pati rezistencë, por një kolonë italiane ra nën armët e shqiptarëve në rrugën në të dalë të Vlorës, duke shkaktuar disa viktima. Rreth 40 xhandarë shqiptarë rezistuan në Portin e Sarandës, por viktima mbetën nga të dyja palët, rreth 6-7 të vrarë. Një kolonë tjetër italiane u prit me armë në të hyrë të Shkodrës. Përveç Durrësit, këto ishin pikat e tjera të rezistencës, të cilat ranë shumë shpejt. Brenda pak ditësh, italianët morën gjithë territorin e vendit, duke përfshirë edhe Burrelin e Dibrën, ku mendohej se mund të kishte një rezistencë të gjatë nga mbështetësit e shumtë të Zogut. Siç dëshmon në kujtimet e veta, Zogu nuk e fshihte zhgënjimin nga forcat shqiptare, të cilat nuk u përgatitën, të paktën siç ai kishte shpresuar.

Të nesërmen, shtypi italian botoi humbjet e italianëve. Për ta ishin vrarë 12 ushtarë italianë dhe plagosur 53 të tjerë. Dukshëm një shifër shumë herë më e vogël se realja, teksa studiues të shumtë evidentojnë se Ministria Italiane e Mbrojtjes kishte nisur më shumë se 200 telegrame ngushëllimi për familjarët e të rënëve.

Rezistenca e armatosur kishte dhënë frytet e para. Frika se pushtimi mund të zgjatej e të kthehej në poshtërues, bëri që Musolini t’i kthente përgjigje telegramit të Zogut për të kërkuar marrëveshje. Telegrami mbërriti në dorën e Mbretit kur italianët po përpiqeshin të merrnin Durrësin në tentativën e dytë. Në arkivin e Familjes Mbretërore ekziston ende telegrami, të cilin Zogu e mori me vete në ekzil:

Në frymën e miqësisë italo-shqiptare që ju përmendni, të cilës unë do t’i mbetem, njoftoj madhërinë tuaj se mund ta dërgoni në Durrës përfaqësuesin tuaj fuqiplotë për të negociuar marrëveshjen ushtarake me gjeneralin Guzoni, komandant i trupave italiane, të autorizuar prej meje për të dëgjuar përfaqësuesin juaj dhe më pas të më njoftojë. Musolini”.

Mbreti Zog kuptoi se telegrami i Musolinit nuk ishte i sinqertë dhe se ai kërkonte të fitonte kohë. Zogu kishte në drejtë… Musolini donte të luante një lojë të dyfishtë. Ai i kërkonte gjeneral Guzonit që të priste përfaqësuesit e Mbretit Zog, por në të njëjtën kohë të përparonte ushtarakisht. Guzoni, nga ana tjetër, e kishte të pamundur të përparonte. Hedhja në erë e urës së Erzenit e pamundësonte përparimin e trupave të motorizuara për të marrë Tiranën, ndaj në këto kushte, ai priti përfaqësuesit e Mbretit Zog, të cilët gjithashtu mbërritën vonë te gjenerali italian. Dy përfaqësuesit e Zogut ishin ministri i Ekonomisë, Rrok Gera, dhe koloneli Sami Koka.

Sipas të dhënave të dokumenteve italiane, ministri Rrok Gera propozoi në emër të Mbretit Zog që trupat italiane të mos përparonin më tepër dhe se çdo lëvizje tjetër e trupave në territorin shqiptar, e në veçanti drejt Tiranës, duhet të bëhej në marrëveshje me palën shqiptare. Por Musolini nuk i mori aspak parasysh këto kërkesa. Në orën 16:35 minuta të pasdites, ai i dërgoi një telegram gjeneral Guzonit, duke i cilësuar kërkesat të papranueshme dhe urdhëroi që trupat të përparonin me shpejtësi drejt Tiranës.[6] Çiano shkroi në ditarin e tij se Guzoni e ndali avancimin për 6 orë në pritje të një përgjigjeje mbi propozimin shqiptar dhe kjo ishte e patolerueshme për Musolinin, i cili çdo vonesë e shikonte si material për shtypin perëndimor për t’u tallur me italianët.

Por për diplomatin e vjetër britanik Rajan, Zogu nuk ishte në kërkim të një marrëveshjeje, po në kërkim të më shumë kohe, pasi një pakt me italianët do të thoshte vetëm nënshtrim i plotë i Zogut.

Propozimi i një armëpushimi nga ministri Rrok Gera për italianët nxori në pah gjithë politikën e ndjekur nga Zogu. Përgjatë gjithë kohës së krizës, gjithnjë u besua se mund të kishte një marrëveshje dhe se italianët nuk do të ndërhynin me forcë. Por edhe në këtë moment delikat, Shqipëria nuk kishte ndërhyrë ndërkombëtarisht për të ekspozuar krizën dhe legatat shqiptare ishin të painformuara. Mbreti Zog u kujdes që formalisht Parlamenti të shprehej për pushtimin dhe organizimin e qëndresës ushtarake, por deri në momentin e zbarkimit nuk u luajt “karta ndërkombëtare”. Armëpushimi për italianët ishte një formë që ata të mund të tërhiqeshin nga pushtimi i Shqipërisë me nder, jo nga ndonjë presion ndërkombëtar që mund t’i vinte në pozitë të vështirë italianët. Por strategjia rezultoi e gabuar dhe e ngjashme me botëkuptimin oriental se “nesër mund të bëhet më mirë”.

Ndryshe nga Durrësi, Tirana e 7 prillit ishte në qetësi të zymtë, kjo për shkak të një alarmi se kryeqyteti do të bombardohej nga aviacioni italian. Nuk dihet si nisi qarkullimi i këtij informacioni, por i shërbeu Mbretit dhe njerëzve të tij për të mos krijuar panik, pasi qytetarët u mbyllën në shtëpitë e tyre. Tirana patrullohej nga aviacioni italian dhe të vetmet gjëra që hodhën, ishin copa letre ku bëhej thirrje për mosrezistencë ndaj trupave italiane.

I vetmi që ndërmori një akt të pashembullt ishte Mehdi Frashëri. Në Bashkinë e Tiranës, ku ndodhej radio “Tirana”, me mbështetjen spontane të dhjetëra të rinjve intelektualë, Frashëri arriti të transmetonte një mesazh proteste, i cili përfundoi në çdo gazetë të globit. Ja si e kujton Mehdi Frashëri aksionin e tij: “Që në mëngjes pyeta në telefon se ç’lajme kishte. Më thanë se në orën 4 e 30 të mëngjesit, tue gdhirë e premte, kish filluar lufta në Durrës, Vlorë, Shëngjin e Sarandë. Lufta po vazhdonte. U vesha e dola jashtë menjëherë. Më erdhi ndërmend se duhej lajmëruar bota. Shkova në shtëpinë e Koço Kotës. Aty gjeta Mbretin. Aty po pregatiteshin për të dërguar njerëz në Durrës, që të piqeshin me gjeneral Guzonin për të nënshkruar konventën ushtarake. U kthyesh dhe ardhsh në Bashki. Pyes ku është radio? Kur vajta atje, më thanë se radio nuk punon për shkak se ishte lidhur me S.T.Z. dhe kjo ishte një ngrehinë italiane, ku italianët kishin shkruar dy ditë më parë. Menjëherë vajta në shtëpinë e Naraçit, drejtorit të P.T.P.R–së. As ai nuk ishte atje. Zonja e tij kish shkuar në shtëpi të doktor Kalmerit. Vrapova te doktor Kalmeri, gjeta të shoqen dhe i thashë: Me të ardhur Naraçi të vijë në radio. Vetë shkova në Bashki. Një grup të rinjsh intelektualë u mblodhën pranë. Disa nga të teknikës dërguan të hapnin derën Sasës e të vinin në punë çentralin. Djelmoshat e shkretë plot zell dhe entuziazëm shkuan e hapën Sasënë. Vunë në aktivitet çentralin dhe radio fillojë të punojë. Atë çast përpilova një thirrje për të gjithë popujt e botës në gjuhë frëngjisht, të cilën intelektualët që u mblodhën brenda e përkthyen në dhjetë gjuhë njëherësh. Radio zuri ta përhapë në të gjithë botën. Kjo gjë tregoi se rinia shqiptare ka një vleftë që të përkthejë në këmbë një tekst në dhjetë gjuhë. Kjo gjë kish tërhequr vëmendjen e radiove të aeroplanëve italianë që lëvrinin mbi Tiranë”.

Mbetet mister kush regjistroi fjalimin e Mehdi Frashërit në radio por të nesërmen mediat perëndimore e botuan të plotë.  Frashëri paralajmëroi drejtpërdrejtë Musolinin. “Shpirti i Gjergj Kastriot Skërnderbeut na thërret për sakrificën sublime. Preferojmë vdekjen dhe jo çnderimin. Ne e dimë që ju keni artileri të madhe, mitroloza, aeroplanë dhe shumë mjete të tjera lufte. Por ne kemi kurajon dhe shpirtin e sakrificës, të gatshëm të martirizohemi. Pesë shekuj më parë, duart e barbarëve aziatikë ishin me gjak. A doni ju të bëheni, në emrin e kombit Italian, barbarët e shekullit të XX-të në perëndim? Nuk kam dashur ta besoj më përpara. Lereni Shqipërinë në pavarësinë e saj. Të jesh i sigurtë Musolini, se ky paralajmërim vjen nga shpirti i popullit shqiptar ndaj dhe ushtria fashiste duhet të kalojë sipër trupave të burrave dhe grave shqiptare. Pres që ju të përgjigjeni”, deklaroi Frashëri në radio. 

Zogu e kishte braktisur Pallatin Mbretëror dhe dy ditët e fundit në Tiranë i kaloi mes shtëpisë së vëllait dhe Kryeministrit Koço Kota, nga frika e një bombardimi të mundshëm. Zoi Xoxa rrëfen në kujtimet e tij se gjatë ditës së pushtimit, Zogu e kaloi ditën në Kishën e Shën Prokopit, kisha ortodokse në Kodrat e Liqenit Artificial, duke menduar se aviacioni s’mund të godiste një objekt kulti.

Më se 300 shqiptarë në Durrës mësynë në Legatën Britanike, por edhe në atë situatë kaotike, ambasadori britanik shkruante se ata u sollën të gjithë mirë. Të nesërmen, me 8 prill, të gjithë e lanë legatën dhe u kthyen në shtëpitë e tyre. I vetmi që kërkoi strehim politik, ishte një oficer shqiptar i Xhandarmërisë. Ai i tregoi ambasadorit se nuk kishte asnjë dijeni për 52 forcat që komandonte nëse ishin gjallë apo kishin vdekur, çka për ambasadorin tregonte luftën kaotike. Ndonëse i frikësuar, oficeri vendosi të largohej vetë nga Legata dhe u kthye te familja e tij. Legatat e tjera ishin plot me shqiptarë që kërkonin gjithashtu mbrojtje.

Italianët e kishin ndalur avancimin e tyre, pasi Ura e Shijakut ishte hedhur në erë nga forcat e rezistencës. Propozimi për një marrëveshje ushtarake që do të mund ta ndalte pushtimin, ishte refuzuar nga italianët, pasi i druheshin më shumë prestigjit të tyre. Në këto kushte, Mbreti Zog vendosi të largohej mbrëmjen e 7 prillit nga Rruga e Elbasanit, drejt juglindjes, për në kufirin grek. Në mbrëmje, për herë të fundit, siç dëshmon ambasadori gjerman në Tiranë, Zogu shëtiti rrugët e kryeqytetit hipur në një kalë e më pas, në të dalë të qytetit, u bashkua me autokolonën e veturave dhe kamionëve që nisën rrugëtimin drejt Greqisë bashkë me qeverinë, anëtarë Parlamenti dhe oficerë të lartë të ushtrisë shqiptare.

Ambasadori britanik Rajan, në një shpjegim të gjatë për Londrën në ditët e para të pushtimit të Shqipërisë, jep arsyet mbi largimin e Mbretit Zog. “Afeksioni për Mbretëreshën mund të ketë ndikuar te Mbreti për ta lënë vendin. U mendua fillimisht se ai do të tërhiqej në Burrel për të nisur luftimet nga andej. Por një shpjegim për braktisjen e kësaj iniciative kishte të bënte me qëndrimin e Jugosllavisë, pasi ai s’mund të mbështetej tek ajo, nëse do t’i duhej ta kalonte kufirin. Më vjen tepër keq për të. Nuk kam pasur ndonjëherë keqardhje dhe regjimi i tij ka vend për kritika, por ai rezistoi për pavarësinë e vendit të tij”. Fundja, për diplomatik e vjetër, “a nuk ishte kjo dita e zgjedhur për triumf nga vetë Juda?!”

Vite më pas, kur Zogu takohej me Rajanin në hotelin “Ritz” në Londër, do t’i rrëfente atij se marrja e Shqipërisë nga italianët u bë me arsyetimin për të qenë gati ndaj pushtimit të Greqisë. Zogu shtonte se italianët i kishin ofruan 30 milionë franga ari (1.5 milionë napolona të artë) dhe një pallat në Romë, nëse do të pranonte të përfshihej në një luftë të përbashkët ndaj Greqisë.

Ambasadori gjerman mendonte ndryshe: Zogu të pranonte kapitullimin, në kushtet kur Shqipëria nuk mund të fitonte luftën. Në raportin për Berlinin, Eberhard von Panvic (Eberhard von Pannwitz) theksonte: “Nuk kam arritur të gjej një shpjegim se përse Mbreti në këtë moment, i cili në raste të tjera ishte treguar i zgjuar, nuk i pranoi kërkesat e italianëve. Anijet luftarake italiane ishin në portet shqiptare, Durrësi ishte bombarduar, kudo kishin zbarkuar trupa, shqiptarët kishin bërë rezistencë. Ishte e qartë që rezistenca e mëtejshme nuk kishte më kuptim. Mbreti mund të deklaronte se i dorëzohej një fuqie të armatosur e superiore dhe se i pranonte kërkesat”.

Shpërthimi i burgjeve mbetet ende një mister. Italianët e akuzuan Zogun për nxjerrjen nga burgu i Tiranës të të burgosurve, të cilët të armatosur, terrorizuan Tiranën me të shtëna të shumta. Ambasadori Rajan shkruante se urdhri për hapjen e burgjeve nga Zogu nuk u konfirmua asnjëherë, por me largimin e tij nga Tirana rreth orës 19:00, të burgosurit zotëruan qytetin dhe të shtënat në ajër nuk pushuan deri në 08:00 të mëngjesit. Të burgosurit e armatosur bastisën Pallatin Mbretëror dhe shtëpitë e princeshave, duke prishur e marrë ç’gjenin. Lirimi i të burgosurve u urdhërua nga autoritetet e Zogut apo lajmi për largimin e Mbretit rrëzoi gjithë shtetin në të njëjtën kohë? Ky fakt është vështirë të konfirmohet ende sot. Zoi Xoxe pretendon se ata u liruan nga Abaz Kupi, para se të nisej për në Durrës, në mënyrë që ata të mjerë të mos binin në duart e italianëve, por që situata doli jashtë kontrollit sapo u mësua që Mbreti la Tiranën. Gjithë natën, duke u gdhirë 8 prill, Tirana ishte nën pushtetin e qitjeve të pushkëve në ajër.

Të nesërmen, italianët mbërritën në kryeqytet dhe Konti Çiano zbriti në Aeroportin e Tiranës, i shoqëruar nga ish-krahu i djathtë i Zogut, Zef Serreqi. Qytetarët e Tiranës u mblodhën qetësisht para sheshit të Bashkisë, ndërsa një fjalim u mbajt nga ish-peshkopi Visarion Xhuvani. U formua një qeveri e përkohshme nga Xhafer Ypi, inspektor i përgjithshëm i Oborrit Mbretëror dhe sekretarët e përgjithshëm të ministrive. Çiano shënoi në ditarin e tij se një grup të rinjsh i kishin sytë me lot për vendin e tyre, ndoshta trashëgimia më e madhe e lënë pas nga Zogu. Në datën 12 prill u mblodh Asambleja Kushtetuese, me disa deputetë të mbetur dhe njerëz të përzgjedhur nga italianët, të cilët e rrëzuan regjimin e Zogut, vendosën ngritjen e një qeverie të re të drejtuar nga Shefqet Vërlaci dhe ia ofruan kurorën e Mbretërisë Shqiptare Mbretit të Italisë. Që në nisje, italianët treguan qëllimet e vërteta të tyre, duke zhgënjyer mjaft shqiptarë kundërshtarë të Zogut, të cilët shpresonin se mund të kishin një princ nga familja Savoja në krye të Mbretërisë, si një mënyrë për të ruajtur sovranitetin e Shqipërisë. Ishte e qartë se sovraniteti kishte rënë.

Situata e Mehdi Frashërit, i cili ndodhej i ngujuar brenda Legatës Turke në Tiranë, u ndërlikua së tepërmi. Ambasadori gjerman, tepër vlerësues ndaj Mehdiut, kishte nisur negociatat me italianët për t’i dhënë një status paprekshmërie, por dukej e pamundur, për shkak të rolit të tij për të frymëzuar shqiptarët të merrnin armët kundër italianëve. Madje, kaq e madhe ishte simpatia e diplomatit gjerman ndaj tij, sa futi në lojë edhe ambasadorin britanik për të lobuar për sigurinë e Mehdi Frashërit. Shtypi italian e kishte sulmuar ashpër patriotin shqiptar dhe e cilësonte si një intrigant të mbështetur nga britanikët. Ambasadori britanik Rajan dhe ai gjerman në Tiranë u kërkuan kolegëve të tyre në Romë të ndërhynin te Çiano për të garantuar sigurinë e Frashërit. Madje, Rajan kërkoi një anije britanike që t’i mundësonte atij largimin e sigurt nga Shqipëria, por Londra refuzoi, për shkak të komenteve në shtypin italian. Odiseja me Frashërin përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, përveç faktit se iu garantua jeta. Por, gjithsesi, ai duhej ta linte vendin dhe të internohej në Itali. Burrështetasi i fundit, Mehdi Frashëri, kishte fituar respektin e të gjithëve e, më së shumti, të armiqve të tij.

Atasheu i Marinës Britanike në Romë, Bojer-Smith (Bowyer-Smyth), mori udhëzime të shkonte te Legata në Durrës, nisur nga ndërprerja e komunikimeve. Ai u paraqit në Bari Më 7 prill, kur pushtimi po ndodhte, dhe udhëtoi drejt Durrësit më 8 prill me një anije ushtarake italiane, i shoqëruar nga italianët, si për të treguar një situatë normale. Ushtaraku hartoi një raport mbresëlënës për zbarkimin italian nga biseda me dëshmitarë të shumtë dhe nga gjurmët e luftimeve. Mëngjesi i datës 8 prill dukej i qetë dhe italianët kishin pastruar zonën, në veçanti hyrjen në port, ku luftimet kishin qenë të ashpra. Britaniku eci më këmbë përgjatë portit deri te legata dhe vuri re muret e goditura nga artileria. Pas disa ditësh qëndrimi dhe mbledhjes së të dhënave mes disa dëshmitarëve, ai shënoi: “Me siguri që italianët nuk kanë pritur rezistencë. Shqiptarët ishin të vendosur për të rezistuar ndaj pushtuesit, derisa më pas vunë re përfundimin e municioneve. Dëshmitari tregoi se mori pushkë dhe municione në depot qendrore, me 50 fishekë secili. Me siguri disa njerëz më të përgatitur erdhën nga Tirana. Mbreti nuk ndodhej këtu, siç u raportua në disa gazeta, dhe nëse do të ketë qenë, ndoshta ka lënë një gjurmë në histori që nuk do të fshihet. Destrojerët mbërritën në orën 5:30 në pjesën e brendshme të portit, pranë bregut. Mbrojtësit e Durrësit kishin zënë pozicione. Kur pushtuesit zbarkuan në tokë, mbrojtësit hapën zjarr duke lënë të vrarë një numër të konsiderueshëm ushtarësh italianë. Një dëshmitar më pohoi se pushtuesit ‘po ruheshin në dy drejtime’, çka nënkupton se janë përdorur dy mitraloza nga mbrojtësit dhe kjo vërtetohet edhe nga vendet e gjuajtjes me topa. Pas kësaj rezistence të papritur, pushtuesit u tërhoqën. Më pas nisën gjuajtjet me topa të kalibrit të vogël 4.7 milimetra. Mbrojtësit u afruan më tepër portit dhe në sulmin e dytë, pushtuesit hodhën më shumë ushtarë, duke tentuar nga krahët. Mbrojtësit u detyruan të tërhiqeshin për shkak të numrit të madh të forcave përballë dhe pasi pësuan humbje të mëdha u tërhoqën drejt qytetit. Lufta duhet të ketë vazhduar për një ose dy orë në qytet. Shihje dritare të thyera dhe shenja plumbash në mure. Me ndihmën e tankeve të vegjël, pushtuesit pastruan qytetin dhe rreth orës 9:00 rezistenca në Durrës kishte marrë fund dhe mbrojtësit ose u ishin bashkuar banorëve me rroba civilësh, duke qëndruar në kafene, ose kishin marrë rrugën drejt Tiranës me shpresën për të gjetur municione”. 

Ushtaraku vërejti se topat e mbrojtësve shqiptarë nuk ishin përdorur, ndonëse një dëshmitar kishte pohuar se kishte parë flluska topash në ujë, çka nënkuptonte se shqiptarët nuk kishin pasur artiljerë të zotë për të goditur anijet. Ai hetoi edhe për numrin e të vrarëve dhe në raport nënvizonte se ishte e vështirë të llogarisje humbjet e të dyja palëve. Dëshmitarët i dhanë një shifër: rreth 400 të vrarë, ndërsa oficeri britanik nënvizonte se nisur nga vrulli i luftimeve, me siguri gjysma e kësaj shifre ishte më se e mundshme. Italianët kishin larguar në kohë të shpejtë çdo të vrarë apo të plagosur nga luftimet. Bojer-Smith shënoi në raportin e tij për Londrën edhe disa konsiderata për Mbretin Zog. “Askush nuk mund ta akuzojë për frikacak”, – raportonte Bojer-Smith ndërsa theksonte se Zogu mund të luftonte në të ardhmen, në mënyrë që shqiptarët ta pranonin sërish si Mbretin e tyre.

Ditën e largimit, përmes Aeroportit të Tiranës, Bojer-Smith u ndodh në të njëjtin moment me ardhjen e Çianos për të ndjekur punimet e Asamblesë Shqiptare. Ushtarakut i bënë përshtypje shqiptarët që kishin dalë ta prisnin, të cilët luanin edhe ata rolin e tyre, me duartrokitje dhe përshëndetje “alla romana”. Asgjë e natyrshme, gjithçka e imponuar, dhe sapo Çiano zbriti, fotografët nisën të bënin punën e tyre.

Mbreti Zog kishte nisur tërheqjen drejt Pogradecit dhe Korçës. Marrja e informacionit ishte e vështirë, por mësoi se kryeqyteti kishte rënë. Kryeministri Koço Kota mori një sinjal nga qeveria greke, e cila informonte se do ta mbante kufirin hapur edhe për 24 orë të tjera. Mesnatën e datës 8 prill, Mbreti Zog kaloi Kapshticën, duke marrë me vete flamurin shqiptar në pikën kufitare.

Qeveria greke mbajti shënim se në Larisa, Mbreti Zog kishte me vete 113 persona dhe prania e gjithë e atyre ishte kthyer në një siklet të madh. Në kontaktet e para, shqiptarët i vunë në dijeni se do të largoheshin brenda 4 ditësh nga Greqia, çka u prit me entuziazëm nga pala greke.

Mbreti Zog udhëtoi drejt Follorinës për t’u bashkuar me Mbretëreshën dhe Princin trashëgimtar, tashmë të një mbretërie të humbur. Ai nuk ishte më i njëjti. Ishte një burrë i plakur, i thyer.