Pushteti “hedh kthetrat” edhe mbi RTSH-në! Kush është Alfred Peza, milioneri “MEME” që shfaqet sipas interesave të Ramës

Zgjedhja e kreut të ri të RTSH-së ditën e sotme nuk solli asnjë befasi, pasi ashtu siç pritej, Alfred Peza u zgjodh nga Këshilli Drejtues në krye të Radio Televizionit Shqiptar, i cili mbahet me taksat e qytetarëve.

Zgjedhja e tij ishte e pritshme për shkak se ai ishte kandidati i parapëlqyer i kryeministrit Edi Rama, pasi edhe më parë ka qenë një nga “xholat apo veglat” e Ramës, që e nxirrte në betejë sa herë i interesonte. Kështu ndodhi edhe këtë herë, me RTSH-në që tashmë do t’i shërbejë qeverisë si asnjëherë më parë, pavarësisht se ndikimin te qytetarët e ka shumë të vogël.

Por kush është Alfred Peza, ish-deputeti milioner që u bë meme me premtimet e tij?

Alfred Peza fillimisht është njohur në Shqipëri si një gazetar dhe analist që mbështeste Edi Ramën, atëherë në opozitë, derisa erdhi viti 2013 dhe “shefi” e futi në listat për deputetë. Kjo ishte koha kur shqiptarët e njohën më së miri Alfred Pezën. Në një takim me qytetarët e Peqinit, premtimet e tij u bënë meme në rrjet, pasi jo vetëm që premtoi stadium të ri për Shkumbinin, por premtoi binjakëzim me ekipin e Lacios dhe krijimin e “Shkumbini Channel”. Këto premtime janë të denja për ekipe të mëdha në Itali, por për qytetarët e Peqinit ishte një tallje që u bëhej hapur.

Pasi u zgjodh deputet dhe qeverinë e mori Partia Socialiste, Alfred Peza vijoi t’i shërbente me devotshmëri Ramës, duke e lavdëruar në çdo dalje publike. Shërbimi që bënte nuk mund ta linte duarbosh, ndaj edhe pasuria e tij rritej ditë pas dite. Kjo pasuri ra në radarët e ILDKPKI-së, pasi Peza bleu aksione të një banke me vlerë 1 milionë dollarë.

Vetë Peza deklaroi se i kishte kursime të familjes, por a mund të bëhen 1 milionë dollar me kursime familjare dhe pa biznes? Ashtu siç bëri bujë me shpejtësi pasuria e tij, ashtu edhe u shfry çështja ndaj Pezës, pasi lidhjet me pushtetin i kishte të shumta. Në zgjedhjet pasardhëse Rama nuk do ta kandidonte sërish, ndoshta sepse e kuptoi se Peza ishte i aftë vetëm për të folur në televizione dhe për të vjedhur vetëm për vete, pa u bërë i dobishëm për PS-në, pasi kishte shumë pak mbështetje politike.

Pavarësisht kësaj, Rama vendos që ta zgjedhë Sekretar për Mediat në Partinë Socialiste, post që e mbajti derisa biznesmeni Irfan Hysenbelliu e mori si drejtor në një nga mediat e tij. Tashmë Peza kishte një shef të ri, të cilin do ta mbështeste edhe në “luftën” që Hysenbelliu bëri me ramën për prishjen e “Prestige Resort”, duke e konsideruar aksionin një çmenduri dhe duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin.

Por mesa duket hatërmbetjet e kryeministrit kanë mbaruar dhe ai ka vendosur që ta nxjerrë sërish Alfred Pezën në aksion, duke i dhënë RTSH-në, në mënyrë që t’i shërbejë siç ai di më mirë, duke e lavdëruar atë dhe qeverinë.