Punonjëses së shtetit iu sekuestruan 750 mijë euro pasuri, policia: Dyshohet se vinin nga veprimtaria kriminale e vëllait të saj

Policia e Tiranës ka sekuestruar me urdhër të prokurorisë pasuritë e shtetases Irma Hasani dhe vëllait të saj, pasi dyshohet se këto pasuri vinin nga veprimtaria kriminale e Oltion Hasanit.

Irma Hasani rezulton punonjëse në shtet me rrogë jo më shumë se 60 mijë lekë, por pasuria që iu sekuestrua sipas policisë ka vlerën e 750 mijë eurove.

37 vjeçari Oltion Hasani ka qenë i dënuar në Angli për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Njoftimi:

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Immediate”.

Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari.

Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”.

Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.

Materialet i kaluan Prokurorisë.