Nuk ka rëndësi nëse je nxënës shkolle, i papunë, pensionist apo me rrogë minimale. Nëse je anëtar i Partisë Socialiste, do të duhet të paguash kuotën mujore, që partia të vijojë të bëjë propagandën e saj.
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në vitin 2022 ka vendosur kuotën e pagesës së çdo anëtari të saj, që deri në Maj të vitit 2024 kishte rreth 95 mijë anëtarë, ndërkohë që pas fushatës së anëtarësimit, numri i tyre ka vijuar të rritet.
Në listë-pagesën për partinë përfshihen nxënësit e shkollave, pensionistët, të papunët, të punësuarit në administratë e deri te deputetët dhe ministrat, të cilët duhet të kontribuojnë financiarisht.
Pagesa varion nga 50 lekë të reja për studentët, pensionistët e të papunët, deri në 7000 për deputetët e ministrat dhe 8 mijë lekë të reja për biznesmenët.
Pra, anëtarët e PS-së që janë edhe punonjës të administratës, nuk duhet vetëm të shpërndajnë postimet e shefave të tyre e të dalin në fushatë çdo 2 vite, por edhe të paguajnë nga xhepi i tyre për mirëqënien e partisë – shtet, që në rreth 12 vite ka prodhuar skandale nga më të mëdhenjtë.
Por, ajo që vret më shumë është se Partia Socialiste u merr para’ edhe pensionistëve, edhe pse një tarifë shumë e vogël. Kryeministri Rama justifikohet se nuk ka mundësi për rritjen e pensioneve, por me sa duket, e ka mundësinë për të financuar partinë me lekët e pensionistëve.