Detaje të reja janë mësuar në lidhje me vrasjen e Kristian Kolës, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qendër të qytetit të Shkodrës.
Burimet për mediat bëjnë me dije se 34 vjeçari ishte së bashku me dy të afërm të tij që ishin ngritur nga tavolina ku ishin ulur, ndërsa Kola ka hyrë brenda për të bërë pagesën e faturës.
Pasi ka dalë te dera e lokalit, dy persona të maskuar me skafandra dhe me një motor të zi i janë afruar me shpejtësi dhe kanë qëlluar mbi të.
Në zonë nuk janë dëgjuar të shtëna, duke ngritur dyshime se autorët kanë përdorur silenciator për të ekzekutuar të riun.
34 vjeçari mësohet se së bashku me të atin e tij kishin një firmë ndërtimi, por ende nuk ka indicie nëse krimi lidhet me punën e tij.
Kristian Kola nuk rezulton të ketë pasur precedentë të mëparshëm penalë, ndërkohë që hetuesit po shqyrtojnë si pistë dhe një sherr që ai ka pasur rreth 1 vit e gjysmë më parë.
Aktualisht vrasja e tij mbetet ende mister.