Pse rënia e euros i shërben vetëm oligarkëve e qeverisë  

Rënia e euros në kursin më të ulët historik me lekun po kalon pa ndonjë debat të qenësishëm, teksa vëmendja është në çështje të tjera. Bizneset eksportuese kanë ngritur alarmin pasi kjo rënie e madhe në pak muaj do sjellë një kosto të papërballueshme duke paralajmëruar pasoja të rënda.

Institucionet kryesore nuk kanë reaguar ende në mënyrë zyrtare. Në një reagim periferik, Banka e Shqipërisë e hiqte përgjegjësinë nga vetja e madje shkonte deri aty sa e vlerësonte rënien e euros me argumentin se po “ristruturohet ekonomia shqiptare”. Më tej, Banka e Shqipërisë fliste për efekt pozitive veçanërisht në rënien e borxhit publik.

Në këtë reagim, Banka e Shqipërisë luan edhe me interpretime jo të sakta, e madje nuk fliste fare për faturën e madhe që paguajnë qytetarët e thjeshtë. Sipas BSH, “rritja ekonomike gjatë vitit 2022 vijoi të ishte dinamike dhe u shoqërua me rritje të punësimit dhe të pagave”.

Në fakt, referuar shifrave të INSTAT, paga mesatare u rrit me vetëm 9.2 për qind në vitin 2022 kur inflacioni ka qënë më i larti ndonjëherë. Por përtej kësaj, Banka e Shqipërisë humbi 154 milionë euro vitin e kaluar vetëm nga blerja e madhe e eurove për të stabilizuar kursin e këmbimit. Për këtë humbje, askush nuk mban përgjegjësi.

Rënia e madhe e euros sjell disa përfitime dhe kjo vlen vetëm për importuesit e mëdhenj, oligarkë monopolesh dhe qeverinë. Importuesit e naftës, ushqimeve, pijeve, cigareve kanë fituar shumë gjatë kësaj kohe. Nga ana tjetër, Qeveria ka reduktuar borxhin publik me rreth 37 miliarde lekë ose mbi 380 milionë euro vitin e kaluar vetëm për shkak të rënies së euros. Këtë vit, borxhi publik do ulet dhe më tepër. Me pak fjalë, oligarkët dhe qeveria janë në rregull dhe fitojnë nga rënia pikiatë e euros.

Por për ata që nuk flet Banka e Shqipërisë dhe Qeveria janë njerëzit. Rënia e euros dërmon familjet e thjeshta shqiptare që mbahen me remitancat e të afërmeve të tyre.

Gjithshtu, i gjithë biznesi inovativ, biznesi i turizmit dhe eksportues, që është shtylla më vitale e ekonomisë, goditet në mënyrë dërmuese. Të gjithë punën, vlerën e mallit dhe shërbimit, ata e shesin në euro dhe më pas detyrohen të bëjnë shpenzime në lekë për pagat, taksat etj. Goditja e këtij sektori do ulë efektshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Një tjetër fakt që fsheh Banka e Shqipërisë dhe Qeveria është qarkullimi i madh i parasë së krimit në Shqipëri që është përgjithësisht në euro. Në një ekonomi informale që i kalon 40 % sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar , asnjëherë nuk është dhënë një përgjigje se sa është cash-i që qarkullon në ekonominë shqiptare.

Por, për të gjitha më sipër, duket se kemi arritur në një fazë ku çdo institucion ka vetëm një linjë mendimi dhe veprimi, ndonëse kanë detyrimin që më së pari t’u shërbejnë njerëzve. Këtu institucionet po u shërbejnë një grushti oligarkësh dhe qeverisë në mënyrë të hapur.