Protestat kundër qeverisë në Iran hynë të premten në ditën e tyre të trembëdhjetë radhazi, në një valë trazirash mbarëkombëtare që përbën sfidën më të madhe për regjimin prej vitesh.
Autoritetet ndërprenë qasjen në internet dhe linjat telefonike të enjten – nata me demonstratat më të mëdha deri tani – duke e lënë Iranin pothuajse të shkëputur nga bota e jashtme. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se dhjetëra persona janë vrarë që nga nisja e protestave.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do ta sulmojë Iranin nëse forcat e sigurisë reagojnë me dhunë. Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i ka kërkuar Trumpit të “përqendrohet te vendi i tij” dhe ka fajësuar SHBA-në për nxitjen e protestave.
Ndërsa zemërimi publik vazhdon të rritet dhe demonstratat nuk ndalen, ja çfarë duhet të dini.
Çfarë i shkaktoi protestat?
Protestat nisën si demonstrata në pazaret e Teheranit kundër inflacionit galopant, por u përhapën shpejt në të gjithë vendin dhe u shndërruan në protesta më të përgjithshme kundër regjimit.
Shqetësimet për inflacionin arritën kulmin javën e kaluar, kur çmimet e mallrave bazë – si vaji i gatimit dhe mishi i pulës – u rritën ndjeshëm brenda natës, ndërsa disa produkte u zhdukën plotësisht nga raftet.
Situata u përkeqësua edhe më tej nga vendimi i bankës qendrore për t’i dhënë fund një programi që u lejonte disa importuesve të kishin akses në dollarë amerikanë me çmim më të ulët se tregu. Kjo çoi në rritje çmimesh nga tregtarët dhe në mbylljen e shumë dyqaneve, duke ndezur protestat.
Ky veprim i tregtarëve të pazareve – të njohur si bazaaris – është drastik për një grup që tradicionalisht ka mbështetur Republikën Islamike.
Qeveria me prirje reformiste u përpoq ta zbusë presionin duke ofruar pagesa direkte në para, rreth 7 dollarë në muaj për person, por kjo masë nuk arriti ta qetësojë situatën.
Sa të përhapura janë protestat?
Protestat aktuale janë më të mëdhatë që nga viti 2022, kur vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë fetare shkaktoi protestat e gjera “Grua, Jetë, Liri”.
Njerëz në më shumë se 100 qytete kanë marrë pjesë në demonstrata, të cilat nisën pothuajse dy javë më parë.
Protestat janë përhapur deri në provincat perëndimore si Ilam, një rajon me shumicë kurde pranë Irakut, dhe Lorestan, të cilat janë shndërruar në vatra trazirash. Të ushqyera nga ndarjet etnike dhe varfëria, turmat i vunë flakën rrugëve dhe brohoritën “Vdekje Khameneit”, duke sfiduar drejtpërdrejt udhëheqësin suprem, i cili ka autoritetin përfundimtar mbi çështjet fetare dhe shtetërore.
Agjencia shtetërore Fars raportoi se 950 policë dhe 60 anëtarë të forcës paraushtarake Basij janë plagosur në përleshje me “trazues” në provincat perëndimore, të cilët, sipas saj, ishin “të pajisur me armë zjarri, granata dhe mjete të tjera”.
Sipas organizatës Iran Human Rights me seli në Norvegji, të paktën 45 protestues – përfshirë tetë fëmijë – janë vrarë që nga fillimi i demonstratave. Ajo raportoi gjithashtu qindra të plagosur dhe mbi 2,000 të arrestuar. CNN nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto shifra, ndërsa mediat shtetërore iraniane shpesh raportojnë vdekje individuale pa dhënë një bilanc të përgjithshëm.
Pse këto protesta janë ndryshe këtë herë?
Fakti që protestat nisën nga bazaaris – një forcë e fuqishme për ndryshim në historinë e Iranit dhe zakonisht besnike ndaj regjimit – është domethënës.
Aleanca historike mes tregtarëve të pazareve dhe klerit ka bërë që këta të parët të luajnë një rol vendimtar në shumë momente kyçe të historisë iraniane. Pikërisht mbështetja e tyre financiare ndaj klerikëve ndihmoi Revolucionin Islamik të vitit 1979, duke çuar në rrëzimin e shahut.
“Për më shumë se 100 vjet të historisë iraniane, tregtarët e pazareve kanë qenë aktorë kyç në të gjitha lëvizjet e mëdha politike të Iranit. Shumë vëzhgues besojnë se ata janë ndër më besnikët ndaj Republikës Islamike,” tha për CNN Arang Keshavarzian, profesor i asociuar në Universitetin e Nju Jorkut.
Edhe pse sot roli i tyre politik është më shumë simbolik, ndikimi i luhatjeve të monedhës në bizneset e tyre i shtyu ata të nxisnin protesta që më pas u bënë vdekjeprurëse.
Autoritetet janë përpjekur gjithashtu të dallojnë mes protestuesve ekonomikë dhe atyre që kërkojnë ndryshim regjimi, duke i etiketuar këta të fundit si “trazues” dhe “mercenarë të mbështetur nga jashtë”, ndërsa kanë premtuar një shtypje më të ashpër ndaj tyre.
“Këto protesta, pavarësisht rezultatit, pa dyshim do ta dëmtojnë më tej legjitimitetin tashmë të copëzuar të një shteti që mendoj se është drejt fundit të jetës së tij,” tha për CNN Sanam Vakil nga Chatham House.
Sipas Dina Esfandiary nga Bloomberg Economics, kjo valë protestash ndihet ndryshe për shkak të frustrimit dhe lodhjes së thellë të popullsisë.
“Ka arritur pikën e vlimit,” tha ajo. “Nuk mendoj se Republika Islamike, siç e shohim sot, do të ekzistojë në vitin 2027. Mendoj se do të ketë ndryshim.”
Kush e qeveris Iranin dhe çfarë do të thotë kjo për regjimin?
Irani është një teokraci që nga viti 1979, kur klerikët rrëzuan monarkinë laike të mbështetur nga Perëndimi dhe krijuan Republikën Islamike, e udhëhequr nga Khomeini.
Masoud Pezeshkian u zgjodh president në vitin 2024, duke promovuar një politikë të jashtme më pragmatike, por pushteti i tij është i kufizuar, ndërsa Khamenei merr vendimet kryesore.
“Nuk duhet të presim që qeveria t’i përballojë e vetme të gjitha këto,” tha Pezeshkian në një fjalim televiziv.
Ai ishte paraqitur si mbrojtës i klasës punëtore, duke premtuar lehtësim ekonomik, por korrupsioni, keqmenaxhimi, problemet mjedisore dhe udhëheqja e ngurtë e kanë sjellë qeverinë në prag krize.
Më shumë se një vit pas zgjedhjes së tij, klasa punëtore dhe shtresa e mesme – shtylla kurrizore e shoqërisë iraniane – po vuajnë rëndë.
Sanksionet e ashpra dhe frika nga një luftë e re me SHBA-në dhe Izraelin e kanë bërë shtetin paranojak dhe popullsinë të ankthshme.
Të premten, agjencia Tasnim raportoi se Garda Revolucionare Islamike paralajmëroi se ruajtja e regjimit është “vija e kuqe” e saj dhe se rezervon të drejtën për “kundërpërgjigje”.
Reza Pahlavi, djali i shahut të rrëzuar, është paraqitur si alternativë ndaj regjimit, duke mbështetur protestat dhe duke bërë thirrje për veprime të koordinuara mbarëkombëtare.
Disa protestues duket se i janë përgjigjur thirrjes së tij. Një nga parullat e dëgjuara ishte: “Kjo është beteja e fundit, Pahlavi do të kthehet”.
Megjithatë, shkalla reale e mbështetjes për monarkinë mbetet e paqartë.
“Asnjë nga udhëheqësit politikë iranianë nuk ka një plan të qartë për ta nxjerrë vendin nga kriza,” tha Keshavarzian. “I vetmi mjet që i ka mbetur Republikës Islamike është dhuna.”
Çfarë kanë thënë Trump dhe Khamenei?
Trump e ka paralajmëruar Teheranin disa herë për pasoja të rënda nëse protestuesit vriten.
“Nëse fillojnë të vrasin njerëz… ne do t’i godasim shumë fort,” tha ai.
Të nesërmen, ai shtoi se SHBA-ja nuk do të dërgojë trupa tokësore.
Gjashtë muaj më parë, Izraeli dhe SHBA-ja kryen sulme ndaj Iranit për herë të parë.
Në reagimin e tij të parë publik, Khamenei i bëri thirrje Trumpit të “merret me problemet e vendit të tij”.
“Ka disa nxitës që duan t’i bëjnë qejfin presidentit amerikan duke shkatërruar pronën publike. Populli iranian i bashkuar do t’i mposhtë të gjithë armiqtë,” tha ai.
“Republika Islamike nuk do të tërhiqet përballë atyre që duan të na shkatërrojnë,” shtoi Khamenei./CNN
Media Ditari e përktheu dhe redaktoi në gjuhën shqipe