“Pse nuk hetoni Veliajn dhe Ramën?” Kreu i SPAK raporton në Kuvend: Ka disa çështje që janë ende nën hetim

 Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur sot para deputetëve të Kuvendit ku ka prezantuar edhe raportin vjetor për 2022.Dumani theksoi se ka patur një rritje të regjistrimeve penale dhe të hetimeve proaktive.

Në lidhje me hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë, Dumani tha se janë dhënë katër vendime dënimi. “Sipas DASH, SPAK ka bërë përparim”, tha kreu i SPAK. Dumani tha se  se problematikë është mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit të organizuar, kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi iu drejtua Dumanit duke e pyetur se pse shumë çështje që janë kallëzuar prej vitesh në Prokurorinë e Posaçme, por nuk po marrin ende përgjigje.

Vokshi përmendi disa çështje si ato që përfshijnë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, Teatrin Kombëtar, Inceneratorin e Tiranës, lidhjet me Ndragettan, koncesionet në shëndetësi, krimin elektoral, patronazhistin dhe përdorimin e të dhënave, e deri tek pse nuk ka nisur një hetim në lidhje me skandalin Rama-McGonigal.

Dumani deklaroi se nuk është e vërtetë që SPAK po vlerësohet vetëm në çështjet kundër krimit, por dhe ndaj korrupsionit. Ai deklaroi se disa çështje që përmendi Vokshi janë ende nën hetim, dhe se ndan të njëjtin mendim me të për disa çështje të mbartura, por ai tha se ka në dorë vetëm t’u krijojë kushtet për hetim prokurorëve.

Pjesa më e madhe e tyre janë në hetim. Nuk mund të jap të dhëna e të raportoj për çështje konkrete. Por përsa kohë janë në hetim, ndaj me ju të njëjtën shqetësim me ju lidhur me disa cështje që janë të mbartura që kanë kohë në hetim dhe duhet të disponohen nga prokurorët me një vendimmarrje. Unë si drejtues prokurorie kam të drejtë ti krijoj kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme. Që nga dita e parë në këtë detyrë jam përpjekur ta bëj dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi përgjigje me vendimmarrje “ u shpreh Dumani.