“Pse hesht KFOR”? Albin Kurti publikon provat: Policët u rrëmbyen në Kosovë, në vendngjarje u gjetën gjurmët e serbëve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka hedhur poshtë deklaratat e Presidentit serb Vuçiç se 3 policët e Kosovës u arrestuan në territorin e Serbisë.

Ai doli në një deklaratë për mediat me një hartë, ku tregoi zonën në të cilën ishin rrëmbyer policët e Kosovës, ku sipas tij dukej qartë që ishin në territorin kosovar. Sipas tij, KFOR ka parë gjurmë të çizmeve, prangave dhe ushqimeve që kanë konsumuar serbët, teksa ngriti pyetjen se përse po hesht organizata ndërkombëtare.

“Vendi ku ka ndodhur ngjarja është 1 km, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit, në thellësi të territorit të Kosovës. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë. Në vendin e ngjarjes ka qenë KFOF, policia e Kosovës dhe aty janë gjetur gjurmë të çizmeve, këpucëve të huaja në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat plastike lidhëse. Pra, si është e mundur se ata prentendojnë se janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne. Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është që as të nesërmen me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim, nuk del KFOR-i”, theksoi ai.