Egjipiti ka luajtur për një kohë të gjatë rolin e ndërmjetësuesit jo vetëm ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, por edhe ndërmjet vetë palëve palestineze.
Ai ishte shteti i parë arab që deklaroi paqe me Izraelin në vitin 1978, pas disa luftërave të ashpra që kishte patur me shtetin hebre.
Egjipiti ka kontrollin e njërës prej dy rrugëve tokësore jashtë Rripit të Gazës, kalimit Rafah dhe gjithë vëmendja tashmë është vendosur aty.
Me mijëra palestinezë janë duke pritur në kufi të Gazës, teksa qindra kamionë që transportonin ndihmat e nevojshme janë parkuar në anën e Egjipitit. Të tjerë vazhdojnë të afrohen drejt kufirit, edhe pse akoma nuk ka një marrëveshje për hapjen e kalimit, i cili raportohet se këto ditë është goditur gjithashtu nga disa sulme izraelite.
Për shumë vite, Kajro ka vendosur dhe ka mbajtur kufizime të rrepta për lëvizjen përmes kalimit Rafah, aq sa shumë palestinezë e kanë akuzuar Egjiptin për përforcimin e bllokadës së Izraelit ndaj Gazës, e cila është vendosur që kur Hamasi erdhi në fuqi në 2007.
Por, kufizimet janë vendosur kryesisht për shqetësimet e sigurisë që mbizotëronin në Sinain Verior, ku autoritetet egjiptiane kanë qenë të përfshira për një kohë të gjatë në konflikt me xhihadistët e Al Qaeda.
Ngurrimi aktual i Egjipitit për të hapur kalimin pa dhënë garanci apo kushte të qarta, mund të jetë më shumë një përpjekje për të parandaluar një eksod masiv të palestinezëve nga Gaza.
Shefi humanitar i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, u shpreh se autoritetet egjiptiane i tremben një fluksi të madh njerëzish nga Gaza, për të cilët Egjipti do të ishte më pas përgjegjës, deri në një kohë të pacaktuar.
Për më tepër, Egjipti nuk dëshiron të luajë rol në një zhvendosje, e cila mund të rezultojë e përhershme për mijëra palestinezë nga Gaza.
Një pengesë tjetër është edhe fakti se Izraeli dëshiron të kundërtën – të lejojë më shumë palestinezë të largohen sesa Egjipti është i përgatitur për të pranuar, duke kufizuar sasinë e ndihmave që mund të hyjnë.
Ministri i Jashtëm i Egjipitit, Sameh Shoukry, u shpreh se qeveria izraelite ende nuk ka miratuar një qëndrim që do të lejonte hapjen e kalimit Rafah.
Përpjekjet diplomatike sa vijnë dhe shtohen për të zgjidhur situatën në Gaza, e cila po i afrohet një katastrofe humanitare.