“Kërkesa e SPAK për Ballukun nuk përmbushte kushtet për t’u konsideruar”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një konference për mediat, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për marrjen e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Pavarësisht deklaratave të ambasadave që e lidhnin vendimin me procesin e integrimit, sipas Ramës, nuk do e frenojë rrugëtimin e shpejtë të Shqipërisë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e familjes europiane.
Kreu i qeverisë tha se “në këtë rast nuk jemi përballë një çështje korrupsioni, sepse vetë prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion”.
“Do ta nis nga vendimi i djeshëm i parlamentit, për jehonën tërësisht të deformuar që iu dha atij vendimi. Ju me siguri e keni ndjekur vetë të gjithë rrjedhën e ditës. Keni ndjekur edhe prononcimin tim, që dua ta përsëris, lidhet me të vërtetën e madhe që kërkesa e SPAK nuk i përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë. Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër, apo për ti dhënë përmasën e ndonjë fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e reformës në drejtësi, apo do pengojë drejtësinë është një përpjekje e shëmtuar. Në dëshpërimin e vet ka të gjitha ato ingredientë që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë me të cilat ne po ecim në procesin e negociatave të frenohen. Nuk ka asgjë të re në këtë, por materiali në këtë rast është i favorshëm për të torrollisur njerëzit dhe për të fryrë daullen e luftës kundër qeverisë dhe kundër kësaj shumice.
Dua ti siguroj që nuk ka asnjë frenim drejt rrugës për anëtarësim në BE, nuk ka asnjë diskutim lidhur me vullnetin tonë për të vazhduar në rrugën që ne kemi hapur në pavarësimin e drejtësisë dhe rrugën lundër korrupsionit dhe në këtë rast nuk jemi përballë një çështje korrupsioni, sepse vetë prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion.
Kryeministri tha se është e vërtetë që kanë pasur debat me disa nga partnerët e vendit lidhur me këtë çështje, por shtoi se “nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë”.
“E përsëris atë që thashë përpara grupit parlamentar, unë e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit. Deri tani nuk jemi përballë një çështje korrupsioni.
Nga ana tjetër, është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje. Dhe sikundër besoj e dinë shumica, por bëjnë sikur s’e dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, interesin e vendit dhe një nga normat e pa diskutueshme të këtij përfaqësimi është t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë po as nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë”, tha Rama.