Pasi Partia Socialiste mori vendim që të mos e japë autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, në një konferencë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar këtë veprim si një sulm direkt ndaj qytetarëve shqiptarë.
Ai tha se me këtë mbrojtje publike që Rama i bëri Ballukut, i mbylli derën e integrimit Shqipërisë, duke dëshmuar se sot ai është i gatshëm t’i përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër qytetarëve shqiptarë dhe interesave të tyre.
“Edi Rama sot sfidoi çdo shqiptar, sfidoi qytetarët shqiptarë. Të dashur qytetarë dhe qytetare, nuk është një sulm kryesisht nga SPAK-ut, ndaj drejtësisë kjo që po bën sepse në këtë drejtim, drejtësia po përfaqëson ju, po përfaqëson ligjin dhe interesat tuaja. Por ky është një sulm direkt ndaj jush, ndaj dinjitetit tuaj, ndaj lirive tuaja.
Ky është një sulm me të cilin Edi Rama u thotë ju se ai qëndron mbi ligjin dhe se ai si një narkodiktator i vërtetë vendos në këtë vend për gjithçka dhe për çdo gjë.
Ai, sot dëshmoi më shumë se kurrë se është i gatshëm t’i përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër qytetarëve shqiptarë dhe interesave të tyre në tërësi. Dhe në veçanti për mbylljen e dyerve të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Berisha.
Për kreun e PD-së, tashmë radhën për të vepruar e ka sovrani me mjete demokratike, i cili duhet ta bëjë vetë drejtësinë.
“S’ka pasur kritik më të madh në këtë platformë se unë ndaj drejtësisë. Por në rast se ekzekutivi me kartonat e krimit vendos të mos pranojë vendimet e drejtësisë, i përket sovranit dhe jo drejtësisë, të thotë fjalën e vetë. Drejtësia e tëra është një trupë 300-1 mijë. Të gjitha hallkat e tjera janë në duart e ekzekutivit. Ndaj është sovrani që duhet të ndërhyjë me mjetet demokratike, për të bërë të mundur ushtrimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. A do të vazhdojë drejtësia të lëshojë urdhra të tjerë për arrestin e Ramës, se di. Zgjidhja është në duart e qytetarëve, kemi të bëjmë me fatin e qytetarëve, me ëndrrën e tyre.”, tha ai.