Ditën e nesërme do të zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit Antikorrupsion që u miratua pak ditë më parë në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës.
Komisioni që do të drejtohet nga deputeti Fatmir Xhafaj, do të zhvillojë nesër në orën 9:30 mbledhjen e konstituimit. Prezente në mbledhjen e parë do të jetë edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.
Ndërkohë duhet theksuar se opozita ka qenë kundër këtij komisioni, qëndrim që ata e shprehën edhe në seancën ku u votua ngritja e këtij komisioni.
Një pjesë e tyre e braktisën votimin ndërsa 6 të tjerë votuan kundër.
Nga socialistët, ky komision do të ketë anëtarë Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu.
Sakaq shumica socialiste caktoi që nga opozita të jenë anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Tyli Cupi , Sorina Koti, Flutura Açka dhe një vend bosh për nënkryetarin e komisionit.