Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka zhvilluar sot një takim me krerët e grupeve parlamentare ndërsa më 2 shtator nisi edhe sesioni i ri parlamentar.
Spiropali gjatë takimit me Gazment Bardhin, Niko Peleshim, Mesila Dodën dhe Agron Dukën ka kërkuar që ndryshe nga sesioni i kaluar ku pati tensione dhe bllokim të Kuvendit, jeta parlamentare të vijojë pa tensione mes mazhorancës dhe opozitës.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë koordinimi i punës në parlament dhe bashkëpunimin mes palëve.
Takimi vjen 2 ditë para seancës plenare dhe pas disa çështjeve të rëdësishme, që pritet të sjellin debat në Kuvend, siç është mandati i Olta Xhaçkës apo edhe interpelanca urgjente e kërkuar nga PD me kryeministrin Rama për skandalin me mbetjet toksike.
Kujtojmë se në sesionin e kaluar pati tensione të forta në Kuvend, ku opozita bllokoi për javë të tëra jetën parlamentare. Kuvendi iu rikthye normalitetit vetëm pasi PS plotësoi disa prej kushteve, siç ishin ngritja e komisioneve hetimore për koncesionet në shëndetësi dhe për TIMS.