Reforma Zgjedhore ka qenë gjithmonë një pikë mosdakordësie mes opozitës dhe mazhorancës, me këta të fundit që gjithmonë ia kanë dalë ta miratojnë në favorin e tyre, duke arritur të “manipulojnë” edhe disa deputetë opozitarë.
Gjykata Kushtetuese vendosi në 30 Qershor të vitit 2021 që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025 të hiqet herësi për ndarjen e mandative, duke hapur listat 100%, që do të thotë se deputetët që marrin më shumë vota individuale do të jenë në Parlamentin e ardhshëm.
Por vendimi i Kushtetueses bie ndesh me llogaritë e Partisë Socialiste, që nuk ka pranuar asnjëherë hapjen e listave. Kreu i Grupit Parlamentar, Bledi Çuçi, në një konferencë për mediat u shpreh se PS po angazhohet që t’i përshtatë kushtet që ka vendosur Gjykata Kushtetuese, duke nënkuptuar se rregullat do t’i vendosë sërish mazhoranca, duke mos lejuar hapjen 100% të listave.
Kushtet e socialistëve vështirë se do të pranohen nga opozita, që ka qenë gjithmonë pro listave të hapura. Në këto kushte, mazhoranca do të përpiqet të përdorë “asin nën mëngë”, ashtu si herën e kaluar, partitë e vogla. Në reformën e mëparshme zgjedhore, Rama arriti t’i bindë deputetët që kishin dalë nga lista e PD-së por që ishin drejtuesë të partive të tjera me uljen e pragut zgjedhor lokal, por pavarësisht kësaj, asnjë prej tyre nuk arriti të siguronte një mandat deputeti.
Këtë herë gjërat do të jenë më të thjeshta për partitë e vogla, pasi PS ka ndërmend që të ulë pragun elektoral në të gjithë vendin, duke u dhënë mundësinë edhe këtyre partive të sigurojnë një mandat deputeti për kryetarët e tyre. Me votat e këtyre të fundit në Parlament, Rama do të përpiqet të arrijë 84 pro-të e nevojshme për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke mos u futur fare në bisedime me opozitën.
Ndoshta pro këtij propozimi mund të jetë edhe Lulzim Basha, që me uljen e pragut zgjedhor, PD e tij mund të përfitonte, pasi mbështetja që ka te demokratët është e vogël.
Bledi Çuçi foli edhe për votën e emigrantëve, ku tha se Ps ka gati draftin dhe pret vetëm konsensusin nga opozita që t’u garantojë emigrantëve të drejtën e tyr epër të votuar.
“Prioriteti i dytë që është i një rëndësie të madhe, është fokusimi i grupit parlamentar në reformën zgjedhore. Kemi një boshllëk që është krijuar nga vendimi i gjykatës Kushtetuese. Ne do të jemi angazhuar që t’i përshtatim këto kushte. Do të adresojmë pa humbur kohë reformën, votën e emigrantëve. Ne duhet të krijojmë mundësinë që të gjithë emigrantët shqiptarë të shprehen me votë për qeverinë që i duhet Shqipërisë. Për fat të keq kjo nuk është realizuar. Ne si PS e kemi qëndrimin tonë, kemi dhe draftin tonë që e kemi adresuar, pritet vetëm konsensusi nga opozita, që më pas ta kthejmë në një ligj dhe t’i japim shqiptarëve atë të drejtë që nuk është e vogël. Edhe opozita shpresoj që ta kuptojë këtë domosdoshmëri për të çuar para një grup nenesh që do të garantonin votën e emigrantëve në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë”, u shpreh Çuçi ndër të tjera.