Provat e reja të SPAK/ Kryemadhi shpenzoi 240 mijë dollarë nga karta e Shatkut, pagesat për veshje, hotele e bileta avioni

Për një periudhë 3 vjeçare, nga dhjetori 2014 deri në nëntor 2017, SPAK dyshon se Monika Kryemadhi ka shpenzuar 240 mijë dollarë nga karta e biznesmenit shqiptaro-amerikan Adrian Shatku (kushëri i saj).

Ky është episodi i ri i dyshuar i korrupsionit që SPAK ka zbuluar dhe ishte një ndër provat që përdori në seancën ku u paraqit informacioni dy mujor për çështjen e Metës dhe vendosi ta linte në qeli.

Kjo është shuma monetare, e cila është arritur të provohet deri tani dhe priten dhe letërporosi nga shtete e tjera mbi pagesat që mund të jenë kryer.

Mediat raportojnë se SPAK ka administruar disa letër porosi nga disa shtete të huaja mbi pagesat që janë kryer me këtë kartë të dytë online bankare.

Sipas SPAK, shuma monetare është përdorur për të bërë pagesa për veshje nga Monika Kryemadhi në Londër, Vjenë, Las Vegas e Beverly Hills, por dhe qëndrimet në hotele apo bileta e avioni.

“Shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi me kartën American Expres Centurion me numër XXXX XXXXXS-31017, për periudhën Dhjetor 2014- Nentor 2017 kapin vlerën 234,677.83 USD. Sipas përshkrimit të llojit të shërbimit, pagesat e kryera nga Monika Kryemadhi jane kryesisht për blerje ne dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, New York dhe Las Vegas si dhe bileta avjoni për udhëtimet”, thuhet në raportimin dymujor të SPAK për çështjen e Ilir Metës.