Këtë të hënë në orën 10:30 kanë dalë para Gjykatës së Tiranës 4 protestuesit e arrestuar pas protestës para Bashkisë së kryeqytetit, të premten e kaluar. Gjykata vendosi për ta masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ndalim i marrjes pjesë në vendet publike ku ka grumbullime, për të 4 protestuesit.
Konkretisht në masën detyrim paraqitje janë lënë Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, të dy 18 vjeç, Franc Kaloshi, 35 vjeç dhe Artan Muçmata, 53 vjeç.
Policia nisi arrestimet menjëherë pas protestës duke mësyrë në orët e mesnatës deri mëngjesin e të shtunës në banesat e protestuesve për të bërë arrestimin e tyre. Prapa kafazit prej xhami, protestuesit janë shprehur se kane marrë pjesë në protestë si qytetarë dhe nuk kanë qëlluar me molotov.
“Edhe rripin e pantallonave na i kanë hequr”, tha protestuesit.
“Unë jam arrestuar nga policia Fier. Është rrethuar ferma, dhe është terrorizuar familja, nëna ime. Kam qenë në protestë. Jamë anëtar i kryesisë së PD, jam biznesmen. Nuk kam qëlluar as me molotov, unë kam respekt për policinë e shtetit. Kërkoj nga drejtësia shqiptare vetëm drejtësi”, tha qytetari tjeter.
Në mbështetje të protestuesve ishin disa deputetë të PD së Rithemelimit si Bledion Nallbati dhe Dhurata Çupi, që po prisnin jashtë gjykatës.
Kujtojmë se policia procedoi penalisht në gjendje të lirë edhe anëtarin e këshillit bashkiak dhe sekretarin e përgjithshëm i PL Tedi Blushi, Shefin i organizimit të Partisë Demokratike Klevis Balliu dhe 2 protestues të tjerë. Ndërsa u shpallën në kërkim 7 protestues të tjerë.