Protestë madhështore te Kryeministria! Rama nxjerr drejtoreshën e MIA-s për të dialoguar, studentët refuzojnë: Duam dorëheqje!

Ka marrë përmasa të mëdha revolta studentore në Tiranë, teksa protestës i janë bashkuar edhe pedagogë dhe akademikë, të cilët janë mbledhur para Kryeministrisë.

Rama nxori para pedagogëve drejtoreshën e Agjencisë për Media Për Informim, Manjola Hasa, ku ka përsëritur ftesën e kryeministrit për diskutim, por kërkesa e refuzua sërish.

“Unë jam këtu nisur nga ftesa e hapur për dialog, për këdo që është i interesuar të dialogojë me kryeministrin. Ka studentë, të rinj, qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë. Unë jam këtu. Unë nuk jam këtu të flas në cilësinë e vendimmarrëses. Jam në emër të qeverisë. Qytetarët që duan të bëjnë këtë dialog me kryeministrin janë të mirëpritur, i kanë dyert e hapura”, tha Manjola Hasa.

Kjo e fundit u përball me kundërshinë e pedagogovë, të cilët mbështesin kërkesën e studentëve për dorëheqjen e Ramës.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, i ka kërkuar drejtoreshës së MIA-s, Manjola Hasa, të largohet nga ambientet para Kryeministrisë, duke e akuzuar se po provokon protestën.

“Largohu që këtu, se provokon protestën”, ishte kërkesa e Kovaçit, e cila më pas u detyrua të largohej.

Aktualisht pjesëmarrja në protestë sa vjen edhe rritet, pasi i janë bashkuar studentë nga shumë fakultete.