Protesta para Kryeministrisë, Berisha: Gys Agasi rrahu me grushta Ulsi Manjën në zyrë me urdhër të Kapos

Partia Demokratike ka zhvilluar sot Foltoren e radhës para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe.

Në fjalën e tij, kreu i PD, Sali Berisha u ndal te skandali me tenderët e AKSHI-t ku tha se biznesmeni i shpallur në kërkim, Ergys Agasi ka rrahur me grushte në zyrë ish-ministrin Ulsi Manj, sepse e kishte porosi nga kapoja, duke iu referuar kryeministrit, Edi Rama.

Berisha paralajmëroi vazhdimin e protestave deri në largimin e Ramës dhe Ballukut.

“Gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë Ramën dhe Lubi Ballukun. Një vajzë ftoi që Ramën të mos e quajmë më kryeministër. Sot e tutje ta thërrasim me gjuhën fjalorin e koordinatorit të tij Gys Agasit, Kapoja. Edhe kur rrihte me grushta Manjën i thoshte e bëj me urdhër të Kapos.

Janë një bandë. Këta janë një bandë që nuk e ka parë ndonjëherë kjo tokë as në Europë dhe botë. Duke ardhur këtu po lexoja, fatin e pengut të dytë, të Gys Agasit dhe ndërmarrjes së Ramës dhe kunatit Daniel Shimës. E rrëmbyen vetëm një javë pas rrëmbimit të Gerond Meçes. Siç mund ta keni ndjekur në dalje para shtypit në rrjetet sociale kam ngritur zërin disa herë për këtë njeri që e mbajtën në bodrume e Suel Çelës, i thyen kockat.

Asnjë zë nuk dilte, asnjë fjalë. Dhe ky ishte rrëmbyer një javë pas Gerondit. Gerondi pat mençurinë dhe u dorëzua tek autoritetet gjermane. Që natyrisht bën atë që u takonte. Po ky tjetri që u dorëzua te autoritetet shqiptare. Altin Troplini e ka përcjellë dosjen te Prokuroria e Tiranës paçka se ishte një akt makabër. Një rrëmbim nga 4 persona. E ndjekur gjer te tuneli i Qafë Krrabës. Natyrisht Prokuroria e Tiranës bëri atë që i thanë firmosi mos-hapjen e hetimeve për personin. Shikoni ku jetojmë”- u shpreh Berisha.