Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë një reagim në lidhje me protestën e PD të shtunën e kaluar, ku qytetarët i vunë flakën vilës së ish-diktatorit, Enver Hoxha.
Në një përgjigje të dhënë pas interesimit të mediave, ambasada u shpreh se aktorët politikë duhet të refuzojnë dhunën politike dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes angazhimit konstruktiv dhe mjeteve paqësore e të ligjshme.
“Ne nxisim të gjithë aktorët politikë të refuzojnë dhunën politike dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre përmes angazhimit konstruktiv dhe mjeteve paqësore, të ligjshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA.
Kujtojmë se protesta e 28 shkurtit nisi paqësisht, por më vonë u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta.
Gjatë hedhjes së molotovëve në “Vilën 31”, pati brenda edhe turistë të huaj, por jo të lënduar.
Përfaqësuesit e opozitës deklaruan se nuk kishin dijeni për praninë e shtetasve të huaj në vilë, por patën informacione se aty do të mbante një takim kryeministri Edi Rama me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Ndërkohë protesta e radhës e PD do të mbahet më datë 12 mars, në të njëjtën ditë që Kuvendi do të shqyrtojë imunitetin e Belinda Ballukut.