Prokuroria pushon çështjen për vdekjen e Lear Kurtit: Policët nuk kanë kryer asnjë shkelje ligjore

Prokuroria ka pushuar çështjen për vdekjen e Lear Kurtit, i cili ndërroi jetë gjatë shoqërimit në Komisariat, pasi u kap nga efektivët e policisë.

Sipas prokurorisë, efektivët që bënë shoqërimin e tij nuk kanë kryer asnjë shkelje, pasi i riu ka ndërruar jetë për shkak të mbidozës së kokainës.

Sipas akt-ekspertizës në vitin 2022, 32 vjeçari Lear Kurti kishte ndërruar jetë nga mbidoza pasi gëlltiti qesen me kokainë për ta fshehur nga policia, por ky akt-ekspertim është kundërshtuar nga familjarët e tij. Tashmë do të jetë gjykata që do të vendosë nëse çështja do të pushohet ose jo.

Pjesë nga akti i ekspertimit:

“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:

Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.

Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”.