Prokuroria kërkon burg përjetë për vjehrrin që vrau ish-dhëndrin dhe 35 vite burg për vajzën e tij

Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për Mexhit Picarin dhe vajzën e tij Dhurata pas vrasjes së dhëndrit të shtëpisë, Kudret Saliajt dhe plagosjes së avokatit të tij.

Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për babain dhe 35 vite burg për të bijën. Ata deklaruan se krimi ishte kryer nga Mexhiti me paramendim por kamerat zbuluan se ishte Dhurata ajo që i jepte armën.

Ngjarja ndodhi më 4 qershor 2021 kur Mexhit Picari, ish polic burgu vrau ish dhëndrin e tij, në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës.

Picari kishte vendosur të bëjë vetëgjyqësi pas një procesi të gjatë divorci mes vajzës së tij dhe ish-dhëndrrit. Rasti ishte denoncuar edhe në media nga babai dhe e bija të cilët akuzonin Kudretin se e kishte përzënë atë nga shtëpia dhe i kishte kthyer fëmijët kundër.

Kujtojmë se në janar të këtij viti, djali 20 vjeçar i Dhuratës dhe Kudretit u përplas për vdekje nga një makinë, teksa ishte duke udhëtuar me skuter.