Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq ish-drejtorin e AP dhe shefin e Shërbimeve, punësuan Muçi Shaljanin që u vra në atentatin e Rinasit

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Artjol Saliasi, si dhe Drejtorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, Gëzim Sala. Ata akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë zbuluar se Muçi Shaljani, i cili humbi jetën pas atentatit me armë zjarri pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ishte punësuar në mënyrë të paligjshme në AMP.

Nga verifikimet rezulton se punësimi i tij është kryer në kundërshtim me ligjin për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe rregulloren përkatëse për organizimin dhe funksionimin e saj. Procedurat e zakonshme ligjore, si shpallja e vendit vakant, ngritja e komisionit të vlerësimit, testimet dhe verifikimet përfundimtare, nuk janë ndjekur në asnjë fazë.

Sipas Prokurorisë, dokumentacioni për punësimin është përgatitur nga drejtoria e personelit, ndërsa vendimmarrja është marrë nga drejtori i përgjithshëm i komanduar në atë kohë. Dy zyrtarët dyshohet se kanë bashkëpunuar për të anashkaluar procedurat ligjore, duke justifikuar punësimin me argumentin e “nevojave emergjente”.

Megjithatë, nga dëshmitë e drejtuesve të strukturave të AMP-së nuk rezulton që të ketë pasur kërkesa apo nevoja reale për rekrutim emergjent.

Hetimet tregojnë gjithashtu se punësimi është realizuar brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore dhe se personi në fjalë ka përfituar pagë për disa javë, pa u paraqitur asnjëherë në punë apo pa kryer detyra konkrete.

Prokuroria thekson se të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm për shkeljet ligjore dhe mungesën e kushteve për punësim, por pavarësisht kësaj kanë vijuar procedurën, duke futur në strukturë një person pa verifikime të plota dhe me dokumentacion të dyshimtë.