Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimet: Irena Gjoka fshehu dënimin në Greqi! Vendimin për shkarkimin ose jo e merr KLGJ

Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur hetimet për gjyqtaren Irena Gjoka, ku ka dalë në përfundimin se ajo ka fshehur dënimin e marrë në Greqi.

Sipas Prokurorisë, vendimi i autoriteteve greke për Irena gjokën është autentik, teksa dosja tashmë i ka kaluar Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Tashmë KLGJ do të marrë vendimin nëse do ta shkarkojë apo jo gjyqtaren, teksa shpesh kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të forta mbi gjyqtaren. Ai ishte i pari që e akuzoi për fshehjen e dënimit në Greqi, akuzë që tashmë duket se u konfirmua.

Njoftimi i Prokurorisë
Mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.