Prokuroria e BE-së nis hetime për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad

Zyra e Prokurorisë Publike Evropiane ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se po kryhen hetime lidhur me mundësinë e keqpërdorimit të fondeve të Bashkimit Evropian sa i përket rindërtimit të stacionit hekurudhor të Novi Sadit.

Pesëmbëdhjetë persona vdiqën dhe dy të tjerë u lënduan rëndë kur një strehë prej betoni u shemb në stacionin hekurudhor më 1 nëntor 2024.

EPPO-ja tha se Prokuroria duhet të vendosë për ushtrimin e juridiksionit të saj kur keqpërdorimi lidhet me fondet e BE-së të alokuara për vendet joanëtare.

Në mesin e këtyre vendeve është edhe Serbia, shtet kandidat për anëtarësim në BE.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) tha se prokuroria duhet të vendosë për ushtrimin e juridiksionit të saj kur mashtrimi lidhet me fondet e BE-së të alokuara për vendet joanëtare.

Këto vende përfshijnë edhe Serbinë, e cila është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duke pasur parasysh që dëmtimi i interesave financiare të BE-së është një pjesë përbërëse e veprës penale të mashtrimit, kur ky dëm ndodh në Belgjikë ose Luksemburg [pasi fondet paguhen atje, ku ndodhen institucionet e BE-së], ekziston juridiksioni i atyre shteteve anëtare dhe, rrjedhimisht, edhe juridiksioni i EPPO-së, pavarësisht se ku ka ndodhur vepra penale, për shembull në territorin e një vendi të tretë”, tha EPPO-ja.

Kjo zyrë tha se asnjë detaj i hetimit nuk do të bëhet publik me qëllim që të mos rrezikohet ky proces.

Tragjedia në Novi Sad shkaktoi shqetësim të madh në opinionin publik, teksa hetimet mbi shkaqet e shembjes së strehës po vazhdojnë.

Incidenti ndodhi katër muaj pasi ishte mbajtur ceremonia e inaugurimit të rindërtimit të ndërtesës së stacionit hekurudhor, pas tre vjetësh të rikonstruktimit.

Projekti i rikonstruktimit ishte zhvilluar nga dega në Serbi e Korporatës Kineze për Dizajnim Hekurudhor nga Instituti i Transportit nga Serbia.

Punimet e rikonstruktimit ishin kryer nga konzorciumi kinez, CRIC&CCCC, që përbëhet nga kompania kineze China Railway International Co. Ltd dhe China Communications Construction Company Ltd.

Kontrata e nënshkruar nga autoritetet serbe me partnerët kinezë për rikonstruktim nuk është publike.

Disa raste hetimesh janë hapur për ngjarjen në Novi Sad. Në dhjetor, Zyra e Prokurorisë në Novi Sad ngriti aktakuzë ndaj 13 personave, të dyshuar për neglizhencë gjatë rikonstruktimit të strehës së betonit.

Në mesin e tyre janë edhe ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, asistentja e tij, Anita Dimoski, dhe ish-drejtoresha e kompanisë publike për infrastrukturë, Jelena Tanaskoviq.

Prokuroria Publike e Beogradit ndërkaq po heton procedurat sa i përket financimit të projektit të rinovimit të stacionit në Novi Sad.

Pas ngjarjes në Novi Sad, studentët kanë organizuar protesta masive në mbarë Serbinë si dhe kanë bllokuar punën në disa fakultete. Veç tjerash, ata po kërkojnë që të bëhen publike të gjitha dokumentet që lidhen me rikonstruktimin e stacionit hekurudhor.

Përderisa përfaqësuesit qeveritarë pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar, përfaqësuesit e një grupi të ekspertëve nga Universiteti i Beogradit mohojnë këto pretendime, teksa studentët po vazhdojnë protestat. REL