Ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve po diskutohen dy projektligje të propozuara nga Partia Socialiste dhe që kanë të bëjnë me pastërtinë e figurës së personave që ushtrojnë funksione publike si dhe ligjin për partitë politike, ku preket dhe “despiunizimi”.
Nisur nga ky diskutim, para se të fillonte mbledhja, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hofmann, i ka dërguar një letër kryetares së komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ku i kërkon që amendamentet të jenë në përputhje me kriteret e vendosura nga Komisioni i Venecias.
“Në këtë kontekst, do të doja të sugjeroja që komisioni për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut të sigurojë që nismat aktuale ligjore janë plotësisht në përputhje me parimet dhe kriteret kryesore të nënvizuara nga komisioni i Venecias në opinionet e tij të përmendura më sipër dhe të përmbajnë të gjitha masat mbrojtëse të nevojshme”, thuhet në letrën e ambasadores së BE-së.