Klodian Braho do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme për tre vitet e ardhshme, duke zëvendësuar në këtë detyrë Altin Dumanin.
Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, Braho u zgjodh në krye të SPAK pasi mori shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, konkretisht 7, kundrejt 3 që mori Adnan Xholi dhe një votë Elvin Gokaj.
Braho mori më shumë vota nga KLP edhe në krahasim me dy paraardhësit e tij, Arben Kraja dhe Altin Dumani, të cilët ishin zgjedhur me 5 vota.
Karriera e Brahos në drejtësi:
Klodian Brajo është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, ka qenë ndërkohë një nga figurat kryesore të SPAK-ut.
Ai u emërua prokuror në vitin 2007 pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës. Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012.
Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë dhe pas dhpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK-ut, ai u emërua prokuror në strukturën e re.
Por cilat janë dosjet e “nxehta” që ka hetuar kreu i ri i SPAK?
Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Yaris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.