PROFIL/ Kush është Erion Bani, gjyqtari i guximshëm që firmosi arrestimin e Erion Veliajt

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, do të mbahet mend gjatë si personi, i cili nuk ngurron të godasë në nivelet e larta të politikës kur vjen puna tek abuzimi me detyrën.

Ai firmosi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt, të cilin Prokuroria e Posaçme e akuzon për korrupsion dhe pastrim parash.

Gjyqatri Erion Bani ka lindur në Sarandë, ndërsa konsiderohet si një prej gjyqtarëve më të guximshëm, seriozë dhe profesionalë në sistemin e drejtësisë.

Me një CV shembullore, me kualifikime, pa asnjë vërejtje në detyre, gjyqtari i ri ka kaluar suksesshëm vetingun e pasurisë. Ai ka kaluar nën duar disa dosje të nxehta të tjera si në rastin e inceneratorëve ku la përfundimisht në burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. 

Kontributet e tjera në goditjen e korrupsionit

Erion Bani ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në dërgimin e dosjes së Ilir Beqajt në SPAK për hetime të mëtejshme.

Me daljen e lajmit të arrestimit të biznesmenit 100 milionë eurosh të sterilizimit, Ilir Rrapaj, u vu re nje detaj që nuk mund të humbiste. Prokuroria Speciale SPAK kërkoi arrestimin e ish nr 2 të ministrisë dhe gjithë komisionit të tenderit 100 milionë euro të sterilizimit, por pa kërkuar gjë për kokat. 

Gjyqtari i çështjes i tregoi “dhëmbët” prokurorëve pasi pa dosjen hetimore. Ai urdhëroi SPAK-un që hetimet të thelloheshin tek ish ministrat, ai i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe i Financave Shkëlqim Cani. 

“Unë pashë që kishte vepra të tjera penale dhe persona, përfshi edhe dy ish-ministrat dhe e kam orientuar prokurorinë që të hetojë në këtë drejtim,” thoshte ai në një bisedë telefonike për BIRN, të nesërmen e lajmit. 

Një rast tjetër ishte kur SPAK pushoi hetimet për fshehje pasurie për 7 ish gjyqtarë të lartë, por Erion Bani i kërkoi SPAK-ut të mos e ndërpresë hetimin. 

Ky guxim profesional i ka kushtuar edhe sulme në media të ndryshme por gjyqtarin e ri as që e ka tundur. 

Mesa duket, Erion Bani është një nga shembujt e mirë të reformës në drejtësi, për të cilën ka kaq shumë shpresë nga shqiptarët se krimi dhe korrupsioni do ndërshkohen në këtë vend.