Gjykata e Posaçme do të marrë nesër në orën 13:00 vendimin për kalimin ose jo për gjykim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij dhe 3 të pandehurve të tjerë për aferën Partizani.
Në seancën e mbajtur sot, GJKKO rrëzoi kërkesën e avokatëve për pavlefshmëri të provave të SPAK, që u konfirmua edhe nga avokati i Berishë, Genc Gjokutaj.
“Sot ne përfunduam fazën edhe të pretendimeve tona dhe gjykata u tërhoq dhe ka dhënë vendim lidhur me kërkimet tona gjatë seancën paraprake që kanë të bëjnë me pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve dhe këtu shteroi vendimmarrja e gjykatës, por jo vendimmarrja për dërgimin ose jo të çështjes në gjyq. Ne kemi kërkuar pavlefshmëri për një sërë aktesh. Që nga kërkesa që gjyqtarja të bëjë thirrje prokurorit, të kërkojë saktësimin e akuzës, të individualizojë provat për secilin subjekt sepse secili i pandehur në këtë proces ka fabulën e tij dhe prova që i përkasin secilit për ato vepra penale që akuzohen. Dhe gjykata e gjeti të rregullt këtë mënyrë sot. Ka rrëzuar pastaj kërkesat tona lidhur me pavlefshmërinë për ekspertët. Pra e gjithë vendimmarja e gjykatës sot ishte rrëzimi i të gjitha kërkimeve që ne kemi bërë gjatë seancës paraprake”, u shpreh Gjokutaj.
Sali Berisha ndaj të cilit rëndon vepra penale e korrupsionit akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për korrupsioni pasiv dhe pastrim parash dhe ndodhet në masën “arrest shtëpie”.
Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha qëndroi 1 vit në masën ‘arrest shtëpie’ dhe më pas Gjykata vendosi ndaj tij që ta nxjerrë me masën ‘detyrim paraqitje’, pasi hetimi ndaj tij kishte përfunduar dhe ai nuk mund t’i prishte provat.